Fjalë Kyçe

Si do të veprojë VV nesër, a do të ketë gaz lotsjellës? Flet Rexhep Selimi

Si do të veprojë VV nesër, a do të ketë gaz lotsjellës? Flet Rexhep Selimi

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se nesër kur pritet të votohet Qeveria e re deputetët e kësaj partie do të veprojnë konform mandatit të tyre.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje edhe nesër do të jetë në anën e së drejtës, derisa nuk ka treguar se si do ta kundërshtojnë mbajtjen e kësaj seance.

Se a do të ketë gaz lotsjellës apo protesta në sheshe gjatë kohës kur do të mbahet seanca, Selimi tha se veprimet e tyre do të jenë në përputhje me mandatin që kanë.

“Lëvizja Vetëvendosje sikur gjithmonë edhe nesër do të jetë në anën e së drejtës së qytetarëve për të zgjedhurin e vet, do të jetë në përputhje me qëndrimet e saj politike dhe secili deputet do të jetë në përputhje me mandatin e tij dhe me besimin që ua kanë dhënë qytetarët. Kjo do të jetë ajo çka do të ndodhë nesër, ky do të jetë qëndrimi i LVV-së për nesër. Tashti rrethanat çfarë po mbahet seanca po mbahet në rrethana shumë të vështira ku akoma pandemia nuk ka mbaruar, ashtu siç është mbajtur edhe seanca për mocion kur kishte filluar pandemia, por duket që ata që e kanë thirrur këtë seancë nuk e kanë hallin as të shëndetit të qytetarëve as atëherë e as tash. Po ashtu, po duket që edhe në kohën kur Kosova sot fatkeqësisht sot ka përjetuar një tragjedi me rastin e humbjes së jetës së dy minatorëve dhe rrezikimin e jetës edhe të tjerëve. Pra, as këtë problem duket që nuk e kanë thirrësit e kësaj seance, thjeshtë ata kanë një target që ta rrëmbejnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, fitoren e qytetarëve dhe ta tjetërsojnë atë”, tha ai.

I pyetur se a mund të pritet të ketë gaz lotsjellës apo protesta në sheshet e Prishtinës, ai tha se nuk mund të jenë aq të parashikueshëm nga oponentët e tyre.