Fjalë Kyçe

Si do të votojnë personat me COVID-19 në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Si do të votojnë personat me COVID-19 në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet për të mundësuar që edhe personat të cilët janë në izolim, pasi janë të infektuar me COVID-19, të kryejnë obligimin e tyre qytetarë e të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese, pra të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ekipet mobile do të kujdesen që ditën e zgjedhjeve tu mundësohet votimi edhe qytetarëve të infektuar me koronavirus.

“KQZ-ja është munduar që të gjej një zgjidhje edhe për qytetarët që fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19, dhe nuk mund të shkojnë në vendvotimet. Në zgjedhjet që u mbajtën në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut, KQZ-ja ka përgatitur një udhëzim ku bëhet mënyra e regjistrimit, verifikimit dhe votimin e personave që janë të infektuar me COVID-19”, tha Elezi.

Elezi tha se do të komunikojnë me personat që gjenden në izolim dhe do të shkojnë nëpër adresa për tu mundësuar atyre votimin.

“Ne do të komunikojmë me institucionet përkatëse që i kanë listat e personave që janë të infektuar me COVID-19 dhe e kanë të drejtën e votës. KQZ-ja do t’i kontaktojë këta qytetarë për t’i informuar për shërbimin e KQZ-së, pastaj është në vullnetin e tyre të marrë pjesë ose jo. KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre, për tu mundësuar votimin”, tregoi Elezi për Telegrafin.

Zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se procesi i verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës po shkon mjaft mirë dhe sqaroi se i kanë bërë publik numrat e telefonit, për të shmangur ndonjë keqpërdorim.

“Këta numra nuk janë që qytetarët të thërrasin në ta, janë thjesht numra me të cilët i përdorin zyrtarët për të komunikuar me aplikuesit.  Si lutje, është që qytetarët apo aplikuesit të mos provojnë të thërrasin numrat, sepse vetëm do të vështirësojnë punën, pasi të gjithë ata që e kanë shkruar numrin e tyre të telefonit në aplikacion, do të telefonohen për verifikim”, tha Elezi.