Nëse i hedh një vështrim të shpejtë dëmeve të mëdha që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 nuk mund të mos bjerë në sy diçka e çuditshme. Bashkimi Evropian është i pasur, i përparuar në aspektin shkencor dhe i pajisur me sisteme të shkëlqyera të kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale dhe ka një konsensus politik të prirur fuqimisht drejt kujdesit për qytetarët e vet. E megjithatë gjatë pandemisë ai ka dështuar bujshëm.
Sa i përket listës së viktimave, BE-ja duket sikur është pak më mirë se Britania e Madhe apo SHBA-ja, me 138 vdekje për 100.000 banorë, krahasuar me respektivisht 187 dhe 166 vdekje.
Por, vendet anëtare si Hungaria, Republika Çeke dhe Belgjika kanë tejkaluar çdo vend të botës me numrin e vdekjeve nga koronavirusi. Gjithsesi, aktualisht Evropa po përjeton një valë të re rastesh, për shkak edhe të një varianti vdekjeprurës. Kjo nënvizon edhe rrezikun e shkallës së ulët të vaksinimit në Evropë.
Sipas gjurmuesit tonë, 58 për qind e të rriturve në Britani kanë marrë tashmë një dozë vaksine, krahasuar me 38 për qind të amerikanëve dhe vetëm 14 për qind të qytetarëve të BE-së. Vendet evropiane janë ndërkohë prapa edhe kriterit tjetër jetik:ecurisë ekonomike. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, Amerika u rrit me 4.1 për qind. Në Kinë, vend që e frenoi përhapjen e virusit me një ashpërsi tipike totalitare, rritja ishte 6.5 për qind.
Ndërkohë, në eurozonë ekonomia ishte ende në tkurrje. Por pse BE u shfaq kaq dobët përballë kësaj sfide madhore? Një pjesë e problemit të Evropës është demografia e saj. Popullatat e BE-së janë të moshuara sipas standardeve globale, gjë që i bën ato më të ndjeshme ndaj sëmundjes.
Faktorë të tjerë më pak të kuptueshëm, siç janë qytetet e mbipopulluara, mund t’i bëjnë evropianët më të pambrojtur. Lëvizshmëria ndërkufitare,që është një nga arritjet e mëdha të BE-së, ndoshta ka punuar në favor të koronavirusit, dhe askush nuk do të dëshirojë që ta frenojë atë kur pandemia të vihet nën kontroll.
Por një pjesë e problemit të Evropës është politika. Zhan Mone, diplomati francez që ndihmoi në themelimin e BE-së, shkroi dikur se “Evropa do të farkëtohet përmes krizave”. Kur gjërat janë si mos më keq, këto fjalë përdoren për të sugjeruar që BE do ta“rrëmbejë fitoren nga nofullat e disfatës”.
Sigurisht, gjatë krizës së euros, Banka Qendrore Evropiane (BQE), e shpëtoi unionin përmes politikave të reja. Por kështu, kriza e migracionit e vitit 2015 e forcoi më shumë Frontex, forcën e sigurisë kufitare të BE-së. Por thënia e Mone është gjithashtu një burim vetëkënaqësie.
Lufta civile në Jugosllavi në vitet 1990, çoi në deklaratën “Kjo është ora e Evropës!”. Por më pas vijuan vitet e masakrave të përgjakshme. Po kështu, vendimi i vitit të kaluar për t’i dhënë Komisionit Evropian përgjegjësinë e vetme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave anti-Covid-19 për 450 milionë njerëz, rezultoi një katastrofë.
Në fillim kishte kuptim bashkimi i përpjekjeve kërkimore të 27 vendeve dhe fondeve të tyre për para-blerjen e vaksinave, ashtu si Operacioni “Warp Speed” në Amerikë. Por burokracia e BE-së i menaxhoi shumë keq negociatat mbi kontratat e blerjes së vaksinave, ndoshta sepse janë qeveritë kombëtare ato që nënë përgjithësi mbikëqyrin shëndetin publik.
Projekti u mor me entuziazëm nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, që e quajti një “histori evropiane suksesi” vendimin për të zgjeruar perandorinë e saj. Por vështirë se ai ishte një sukses. Ekipi i saj u përqendrua më shumë tek çmimi dhe shumë pak në garancitë e furnizimeve me vaksina.
Pastaj, Evropa u harruar pas pushimeve verore. Grindjet që pasuan, dhe kërcënimi me bllokadë ndaj eksporteve të vaksinave, kanë ndikuar jo pak në minimin e besimit tek vaksinimi, sesa në rikuperimin e imazhit të KE-së. Po të ishte ende anëtare e një qeverie kombëtare, vështirë se zonja von der Lejen mund të qëndronte më në postin e saj.
Evropa ka dështuar edhe në aspektin ekonomik. Ajo e përdori pandeminë për të shënuar një përparim institucional, duke krijuar një instrument të ri të njohur si fondi i BE-së i Gjeneratës Tjetër, NGEU. Me një vlerë750 miliardë euro, ai i drejtohet kryesisht vendeve të dobëta që kanë më shumë nevojë për të.
Më shumë se gjysma e parave janë grante dhe jo kredi, duke e zvogëluar kësisoj efektin në borxhin kombëtar. Por ashtu si me vaksinat, megjithatë, triumfi në krijimin e NGEU zbehet për shkak të zbatimit të tij të ngadaltë. Do të duhen ende shumë muaj që paratë të kalojnë tek vendet që janë goditur më shumë nga pandemia.
Deri në fund të vitit të ardhshëm, do të disbursohet vetëm një e katërta e fondit. Kjo mungesë emergjence është një simptomë e një problemi shumë më të madh:neglizhimi i shëndetit bazë të ekonomive evropiane. Edhe me fondet e reja, Buxheti i BE-së do të përbëjë vetëm 2 për qind të PBB-së në periudhën e ardhshme fiskale 7-vjeçare.
Në nivelin kombëtar, ku qeveritë zakonisht shpenzojnë rreth 40 për qind të PBB-së së tyre, evropianët kanë qenë më shumë të kujdesshëm sesa duhet. Dhe pasojat e kësaj qasje do të jenë të rënda. Deri në fundin e vitit 2022, ekonomia amerikane pritet të jetë 6 për qind më e madhe se sa në vitin 2019.
Ndërkohë,Evropa nuk ka gjasa të prodhojë më shumë sesa para pandemisë. Është e vërtetë, stimuli prej 1.9 trilionë dollarësh i Xho Bajden pas gati 4 trilionë të injektuara në ekonomi në epokën Trump, rrezikon që ta“mbinxehë” ekonominë e SHBA-së, por Evropa qëndron në ekstremin tjetër.
Deficitet e saj buxhetore për vitin 2021 janë mesatarisht gjysma e asaj që po planifikon Amerika për vete. Pas kombinimit të krizës financiare dhe asaj të Covid-19, prodhimi i BE -së do të jetë 20 për qind, ose 3trilionë euro më i vogël se sa të kishte ruajtur rritjen e viteve 2000-2007.
Evropa mund të ngushëllohet nga fakti që programi i vaksinimit do të zgjerohet shumë gjatë verës. Dhe në të gjithë kontinentin, euroskepticizmi ka qenë në rënie gjatë pandemisë, ndërsa politikanët që kërkonin largimin e vendit të tyre nga BE, si Mateo Salvini apo Marin Le Pen, kanë ndryshuar qasje.
Por në mënyrë të pashmangshme, BE po mbetet prapa Kinës dhe Amerikës, pasi nuk po arrin të përballet me kompetencë ndaj çdo krize të njëpasnjëshme. Në një botë të rrezikshme dhe të paqëndrueshme, ky është një zakon që duhet të ndryshojë.