Kuvendi Komunal i Lipjanit, të martën, ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën kuvendarët përveç të tjerash kanë debatuar edhe për shpenzimin e parasë publike të ekzekutivit gjatë vitit 2020, i cili kap vlerën financiare rreth 17 milionë euro.
Debati ka nisur me kritika nga opozita me arsyetim të keqmenaxhimit të parasë publike. Sipas opozitës, është shqetësuese se kjo komunë gjatë vitit të kaluar ka dështuar t’i shpenzoi mbi 2 milionë euro nëpër kategori të ndryshme, prej tyre rreth 650 mijë euro të grandit qeveritar janë rikthyer si suficit në nivelin qendror.
Në anën tjetër, sipas opozitës, qytetarët vazhdimisht po kërkojnë projekte kapitale për ndërtim të rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit dhe projekte të tjera jetësore. Po ashtu kritika mjaftë të ashpra ka pasur edhe për shpenzime enorme të karburanteve për vetura zyrtare, për çka janë shpenzuar gjithsej 42 mijë e 837 euro, ndërkohë për mirëmbajtjen e tyre janë shpenzuar edhe 24 mijë e 515 euro të tjera.
Sipas opozitës, ekzekutivi gjatë vitit të kaluar ka stimuluar një OJQ të afërt me dhjetëra mijëra euro nga taksat e qytetarëve duke i anashkaluar OJQ-të e tjera.
Lulzim Rrustemi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se ekzekutivi i komunës ka dështuar ta menaxhoi buxhetin e taksapaguesve gjatë vitit 2020. Sipas tij, qytetarët e Lipjanit janë në pritje të investimeve në dhjetëra e qindra projekte.
“Buxheti i komunës është shpenzuar vetëm 89.61 për qind që lë shumë për t’u dëshiruar, pra nuk është shfrytëzuar përkundër kapaciteteve dhe nevojave për shfrytëzim. Kemi një mbetje prej 2 milionë e 75 mijë euro, andaj mbetjet e tilla po rriten për çdo vjet dhe ndërkohë po barten për vitin tjetër. Ndërkaq në mesin e tyre rreth 650 mijë euro janë rikthyer për suficit nga grandi qeveritar”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, është shumë shqetësuese se si ekzekutivi ka dështuar ta menaxhoi paranë publike. “Komuna është dashur të ketë kujdes rreth shpenzimit të parasë publike e sidomos ato nga grandi qeveritar. Te derivatet për vetura kemi shpenzime prej 42 mijë e 837 eurosh i cili është shpenzim enorm në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq për mirëmbajtjen e veturave janë shpenzuar 24 mijë e 515 eurosh”, ka kritikuar Rrustemi.
Ramiz Qeriqi, kuvendar nga radhët e AAK-së, ka thënë se gjatë vitit të kaluar është dashur të bëhen investime në rrjetin e ujësjellësit dhe në projekte të tjera, por jo të stimulohen OJQ-të e afërta me pushtetin me 10 mijë euro.
“E kam ngritur zërin edhe në vitin e kaluar dhe kam kërkuar sqarime rreth OJQ-ve derisa një prej tyre vitin e kaluar i ka marrë 20 mijë euro, kurse së fundi po e njëjta i ka marrë 10 mijë euro subvencione nga komuna. Pra është një dallim shumë i madh me OJQ-të e tjera. Po më intereson se çfarë pune po e bënë kjo OJQ, sepse t’i marrësh 10 mijë euro prej komunës është shumë e madhe. Unë jam i mendimit se është dashur t’i jepet prioritet ujësjellësit. Sa i përket ndriçimit publik është në rregull, por prioritet është dashur t’i jepet ujit të pijshëm”, ka kritikuar Qeriqi.
Afrim Miftari këshilltar nga radhët e AAK-së, ka thënë se menaxherët e projekteve duhet t’i inspektojnë punimet sepse ato nuk po realizohen, ndërkaq si rast konkret ka përmendur mirëmbajtjen e ndriçimit publik në fshatin Gadime, derisa një gjë e tillë ka dështuar.
“E kemi analizuar raportin dhe po besojmë se është një raport real, pavarësisht prej asaj se mund të ketë vërejtje. Te gjobat mandatare në krahasim me vitet e kaluara po rezulton se janë tejkaluar diku 118 për qind. Kërkoj sqarim se ndoshta jemi të prirë se edhe në kohë të pandemisë të sanksionohen qytetarët. Po ashtu për mirëmbajtje të ndriçimit publik ka qenë diku 42 mijë euro dhe shpenzimi është bërë 39 mijë e 99 eurosh, por në Gadime ka shumë drita që nuk po funksionojnë, andaj menaxherët e projektit duhet ta përcjellin këtë investim”, ka thënë Miftari.
Latif Ramadani, drejtor për buxhet në komunën e Lipjanit ka thënë se raporti paraqet shpenzimet në detaje dhe investimet kapitale, pastaj lëndët e ekzekutuara nga thesari, raporti i të hyrave dhe raporti i shpenzimeve në bazë të kodeve ekonomike. Ramadani ka bërë me dije se kjo periudhë megjithëse ka qenë e vështirë, sektorët kanë qenë të përkushtuar dhe të angazhuar për menaxhim sa më të mirë të parasë publike, ndërkaq edhe sektori i tatimit në pronë ka treguar rezultate pozitive.
“Raporti është real në bazë të shpenzimeve që kanë ndodhur, ndërkaq gjatë vitit të kaluar së bashku me kuvend ia kemi lehtësuar funksionimin e të gjitha bizneseve. Shpenzimi i buxhetit është me rendësi që të shpenzohet mirë dhe të mos ketë keqpërdorime, kurse sa i përket përqindjeve janë reale dhe nuk mund të ndryshojmë. E kemi një pyetje rreth të hyrave pse nuk janë shpenzuar, por vetëm në muajin dhjetor janë rreth 300 mijë euro që barten në vitin vijues”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, për shpenzime të derivateve të veturave kryetari me një vendim i ka lejuar disa vetura që të shfrytëzohen nga Policia e Kosovës gjatë kohës së pandemisë.
“Policia e Kosovës i ka pasur në shërbim të vazhdueshëm disa vetura të komunës, pastaj ka qenë angazhimi i krejt stafit për shpërndarje të ndihmave dhe normalisht ka mundur të ketë edhe dëme për mirëmbajtje, po dhe shpenzime më të mëdha në derivate”, ka thënë Ramadani.