Fjalë Kyçe

Si po arrijnë ta marrin vaksinën personat e rinj në moshë? MSH e painformuar

Si po arrijnë ta marrin vaksinën personat e rinj në moshë? MSH e painformuar

Edhe pse nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit, persona rreth 40 vjeç, ose me të rinj, kanë arritur të vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë. Megjithëse ata vetë bëjnë të ditur se kanë marrë vaksinën (edhe pse nuk janë punëtorë shëndetësorë e persona me ndonjë sëmundje), nga Ministria e Shëndetësisë e mohojnë një gjë të tillë. Ata thonë se personat e rinj në moshë që po arrijnë ta marrin vaksinën i takojnë personelit shëndetësor, mund të jenë pacientë me diabet, dializë e me sëmundje, si ato malinje.

Persona më të rinj se 65 vjeç, që nuk janë punonjës shëndetësorë, nuk kanë ndonjë sëmundje malinje apo kronike, e as nuk janë të përshirë në fazën e dytë të vaksinimit, po arrijnë ta marrin vaksinën kundër COVID-19, derisa ata që i takojnë kësaj kategorie, po presin në rrallë për t’u vaksinuar.

Se po arrijnë të vaksinohen kundër këtij virusi, e kanë konfirmuar edhe ata vet, duke publikuar edhe dëshmi të vaksinimit.

Express dje ka raportuar për vaksinimin e personave më të rinj në moshë, të cilët nuk janë të përfshirë as në fazën e parë e as të dytë të vaksinimit, ndërsa këtë e kanë konfirmuar edhe vetë punëtorët shëndetësorë.

Por që, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se janë duke u vaksinuar personat mbi 65 vjeç, ndërsa ata që vaksinohen nën këtë moshë, janë pacientë me diabet, punëtorë shëndetësorë, pacientë me dializë e pacientë me sëmundje malinje.

“Kosova deri tash ka vaksinuar persona të moshës mbi 65 vjeç, rezidentët në shtëpitë e kujdesit për të moshuar, personelin shëndetësor, pacientët me diabet, pacientët e dializës, pacientët me sëmundje malinje dhe në proces është vaksinimi edhe i qytetarëve me sëmundje të tjera kronike. Tek personat me sëmundje kronike nuk ka kufizim moshe, sepse nga këto sëmundje mund të preken edhe persona të moshuar edhe persona të ri. Prandaj, nga kjo kategori, ka edhe persona më të ri se 65 vjeç që vaksinohen. Gjithashtu, në radhët e personelit shëndetësor ka persona prej moshës 19-65 vjeçare që vaksinohen dhe shumë prej tyre këtyre ditëve janë duke marrë dozën e dytë”, është thënë nga zyra për informim në këtë ministri.

Nga MSH kanë thënë tutje se në fazën e dytë sipas Planit Shtetëror të vaksinimit, përveç këtyre dy kategorive në fazën e dytë do të vaksinohen edhe mësimdhënësit dhe personeli i shërbimeve të sigurisë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19.

Njëjtë si Ministria e Shëndetësisë, edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë për Express se janë duke u vaksinuar personat mbi 65 vjeç.

Por që ajo është shprehur se ka edhe persona më të rinj në moshë që kërkojnë ta marrin vaksinën, dhe për shkak të insistimit të tyre, e mos mohimit të drejtës për vaksinim, ata detyrohen që t’i vaksinojnë ata persona.

“Ata me sëmundje kronike kanë pas prioritet. Ndoshta ka pas ndonjë që ka aplikuar e që ka insistuar me marrë vaksinën. Edhe pse kanë aplikuar disa që s’kanë pas sëmundje kronike, nuk i kemi ftuar. Ndonjë që ka bërë problem edhe e kanë vaksinuar infermieret, e kanë pa që po bënë problem dhe nuk ja kanë mohu atë drejtë”, ka deklaruar ajo.

Edhe pse 40 vjeç, moderatori Alaudin Hamiti dje është vaksinuar kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Ai ka thënë dje për Express se kishte aplikuar që më shumë se një muaj, dhe se ishte kontaktuar përmes telefonit që të shkoj e të vaksinohet.

Hamiti ka thënë se edhe persona tjerë të moshës së tij janë kontaktuar për ta marrë vaksinën.

Ndërsa, koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka deklaruar dje se ata vaksinojnë të gjithë personat që janë të përfshirë në listat që u dorëzohen atyre.