Fjalë Kyçe

Si u bë Zvicra vendi më i sigurtë në botë nga koronavirusi?

Si u bë Zvicra vendi më i sigurtë në botë nga koronavirusi?

Revista e njohur amerikane ‘Forbes’ ka radhitur Zvicrën si shtetin më të sigurt në botë për momentin nga pandemia Covid-19. Ky shtet, që nga shfaqja e rasteve të para mori masa të ashpra, duke përfshirë këtu edhe ushtrinë.

Hulumtimi u bë mbi bazën e parametrave të ndryshëm; efikasitetin e futjes së karantinës, monitorimin dhe zbulimin e të infektuarve, gatishmërinë e sistemit shëndetësor dhe efikasitetin e qeverisë.

Sipas këtij raporti, Zvicra radhitet e para për shkak të qëndrueshmërisë së ekonomisë së tyre, por edhe falë marrjes në mënyrë më të kujdesshme të masave dhe qasjes në ekonomi, pa sakrifikuar shëndetin dhe sigurinë publike, sipas studimit.

Por si realisht u përball Zvicra me koronavirusin dhe cilat janë masat që mori?

Deri sot në Zvicër janë shënuar mbi 1900 vdekje nga koronavirus, mirëpo vendi ditëve të fundit ka shënuar shumë pak persona të infektuar.

Që nga paraqitja e rasteve të para në mars ky shtet mori masa mbrojtëse të ashpra, duke mbyllur shkollat dhe kufijtë.

Përpos kësaj, Zvicra  kishte angazhuar Ushtrinë e saj për të ndihmuar në sfidën e vendit kundër koronavirusit, shkruan Gazeta Metro.

Në thirrjen më të madhe të Ushtrisë Zvicerane që nga Lufta e Dytë Botërore, mijëra ushtarë janë dërguar për të mbështetur punonjësit e shëndetit në luftën kundër koronavirusit.

Siç kishte raportuar javë më parë ‘Reuters’, mbi 5000 ushtarë ishin dërguar për të mbështetur personein civil, duke përfshirë këtu edhe anëtarë të batalioneve mjekësorë.

Ndërkaq  tani Qeveria e Zvicrës dëshiron të rivendosë lëvizjen e lirë të njerëzve me shtetet tjera anëtare të zonës Shengen nga 6 korriku, është thënë të mërkurën, në një hap tjetër drejt zbutjes së masave kufizuese pasi kanë vazhduar të ulen rastet me koronavirus.

Zvicra ka ri-konfirmuar planet me fqinjët Francën, Gjermaninë e Austrinë për të hequr kufizimet e udhëtimit në mes të këtyre katër shteteve nga 15 qershori, varësisht nga situata epidemiologjike.