Fjalë Kyçe

Sillen në Gjykatë 35 të arrestuarit për kazinotë në Karaçevë

Sillen në Gjykatë 35 të arrestuarit për kazinotë në Karaçevë

35 persona, prej tyre 12 zyrtarë policorë, pritet të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake për masën e sigurisë në lidhje me aksionin i cili ndodhi dy net më parë në fshatin Karaçevë.

Prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri, ka kërkuar nga Gjykata që të arrestuarit për kontrabandë e lojëra të fatit në Karaçevë të dërgohen në paraburgim për një muaj në mënyrë qe të vazhdojnë të hetohen gjatë asaj periudhe.

Ekipe të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë qenë duke përcjellë zyrtarët policorë të arrestuar për ndihmë në kontrabandë dhe në lojëra të fatit në Karaçevë, të cilët sot dolën para Gjykatës në Gjilan.

Ekipet e IPK-së kanë sjellë zyrtarët policorë në Gjykatë.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe zyrtari policor me inicialet F.L., i cili natën e aksionit në Karaçevë ishte arratisur ndërsa dje kishte vendosur që t’i përgjigjej organeve të rendit.

Karaçeva është konsideruar një zonë e paprekur nga organet e rendit të Kosovës për shkak që e njëjta është nën mbikëqyrje të KFOR-it por të premten institucionet e Kosovës treguan se kjo zonë nuk është më e paprekshme ndërsa u rrënuan 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale në po këtë zonë.