Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar pas raportimit të Malcolm Simmons në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se deklarata e tij është një koleksion i hamendësimeve të pamenduara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale.
EULEX nëpërmjet një kumtese për media theksoi se deklaratat e Simmons i shohin si një përpjekje tjetër për të diskredituar misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe të vet BE-së, njofton Klankosova.tv.
Disa orë më pas ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i është kundërpërgjigjur EULEX-it duke kërkuar që të bëjë një hetim të plotë publik, e më pas “t’ua lënë qytetarëve të Kosovës të gjykojë kush po e thotë të vërtetën”.
“EULEX-i vazhdimisht ka shtrembëruar të vërtetën dhe drejtësinë. I ftoj Lars-Gunnar Wigemark dhe EULEX-in në Kosovë të bashkëpunojnë për një hetim të plotë publik. T’i lëmë qytetarët e Kosovës ta gjykojnë se kush po e thotë të vërtetën”, është shprehur Simmons.