Fjalë Kyçe

Sinani pret që BDI-ja të shkojë në opozitë

Sinani pret që BDI-ja të shkojë në opozitë

Arsim Sinani, publicist dhe profesor universitar, në emisionin Desku në KTV ka thënë se nuk duhet të befasohemi nëse sot BDI-ja do të shkojë në opozitë, për herë të parë pas 18 viteve.

Ai ka thënë se dikund 46 për qind e qytetarëeve kanë votuar dhe pritet deri në ora 21:00 ky fluks të rritet.

“Ajo që vërehet në këtë proces zgjedhor dhe që është interesante është çështja që ka të bëjë me shqiptarët, pasi besoj se do të jetë një natë e gjatë për Ali Ahmetin dhe subjektin e tij për shkak se Aleanca për Shqiptarët do ta sfidojë dhe mendoj se kjo është gjëja më interesante që mund të presim”, ka thënë Sinani.

Tutje Sinani ka shtuar se në kampin maqedonas vërehet një dalje më masovike dhe duket se atje kanë dalë më tepër qytetarë.

“Por duke e njohur mentalitetin e votuesit shqiptar që e lë deri në momentin e fundit, unë shpresoj shumë se deri në ora 21:00 qytetarët shqiptarë do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar dhe për të pritë edhe ndryshime edhe te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Partia politike shqiptare BDI-ja ka dështuar këto 18 vjetë të realizojë kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë fatkeqësisht duke e keqpërdorur atdhedashurinë dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe dëshirën e madhe për të qenë themeltar në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Sinani.

Ai thotë se ka pakënaqësi te shqiptarët rreth BDI-së.

“Sonte mos u befasoni nëse do të shihni që BDI-ja do të shkojë në opozitë, për shkak se ka një pakënaqësi të madhe te shqiptarët dhe mendoj se kjo do të kapitalizohet. Realisht shqiptarëve të Maqëdonisë u ka munguar figura e zotit Arbër Xhaferi dhe këto janë pak a shumë zhvillimet që kanë ndodhur. Ali Ahmeti e ka injoruar tryezën e partive politike të iniciuar nga Rama dhe sa herë që pozitat e tij poltike dobësohen ai e kërkon tryezën për të mbijetuar politikuisht dhe ky është problemi kryesor. Mendoj se shqiptarët duhet të lirohen nga ai dhe ky mentalitet inferior ndaj palës maqedonase. Bashkimi do të ndodhë kur ku mentalitet do të bie nga pushteti”, ka thënë Sinani.

Sipas tij te pala maqedonase është e qartë se do të fitojë Zaevi, i cili është i mbështetur nga perëndimi, nuk besoj se do të ketë befasi.

“Në anën tjetër pres një fitore të opozitës shqiptare. Me gjasë BDI-ja do të kalojë në opozitë. Votën shqiptare e ka dëmtuar partia që ka qenë në pushtet e cila nuk ka komunikuar. Lëvizja Besa shkoi me LSDM-në pasi nuk u mor vesh me Aleancën për Shqipërët. Cilado parti shqiptare që fiton sërish do të ndërtojë koalicion me një parti maqedonase. VMRO-ja nuk është reformuar. Dëmet e partive shqiptare mendoj se duhet të jemi të vëmendshëm pasi partitë që kanë qeverisë deri sot kanë pasur një mbështetje të gjerë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë ai.

Sinani pret përforcim të pozicionit të Vetëvendosjes në Maqedoni për zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk fiton opozita shqiptare.

“Varësisht nga rezultatet e sotme, nëse opozita shqiptare nuk do të ketë sukses atëherë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti do ta ketë shumë më lehtë të penetrojë në Maqedoninë e Veriut dhe të bëhet partia kryesore opozitare në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij pandemia ka ndikuar shumë që diaspora shqiptare të mos vinte në këto zgjedhje, që sipas tij do të bënin ndëshkimin”, ka thënë Sinani.