Fjalë Kyçe

Sindikalistët pas takimit me Kurtin, kërcënojnë me greva

Sindikalistët pas takimit me Kurtin, kërcënojnë me greva

Drejtues të Sindikatave të Shëndetësisë, Policisë dhe Arsimit janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh pretendentin për kryeministër Albin Kurti, me ç’rast paralajmëruan se do të mbajnë greva dhe protesta në rast të pezullimit të Ligjit për Paga.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me Kurtin, tha se gjendja në këta sektorë publikë pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga është alarmante dhe në prag të shpërthimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të mos pezullojë Ligjin për Paga, por të përmirësojnë lëshimet eventuale.

Ndërsa, kryetari i sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli tha se hapat më radikalë të tyre do të jenë protestat.

Ndërsa nga partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte deklarata mbi këtë takim.

Në shkurt të këtij viti Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Paga, teksa këtë muaj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit pas ankesave të disa sindikatave.