Fjalë Kyçe

Sindikata e PTK-së në grevë pas bllokimit të llogarive të kompanisë

Sindikata e PTK-së në grevë pas bllokimit të llogarive të kompanisë

Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Pavarur të PTK-së, ka kërkuar nga institucionet hapa konkret në zgjidhjen e problemit në të cilin është futur Telekomi, pasi i janë bllokuar xhirollogaritë nga përmbaruesi privat për shkak të rastit të humbur në Arbitrazh me Dardafon.net, i njohur si Z Mobile.

Në një konferencë për media, të mërkurën, Balaj, ka paralajmëruar grevë të punëtorëve në rast se institucionet nuk marrin hapa konkret.

“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin hapa konkret dhe t’i lëshojnë llogaritë, në të kundërtën ne do të hyjmë në grevë bashkë me familjet tona dhe nuk do të respektohet asnjë masë kundër COVID-19”, ka thënë Balaj.

Ndërkohë ministri Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka ftuar të gjithë që të jenë racionalë, duke thënë se shpreson se do të gjendet një zgjidhje e mirë.

“Gjatë ditës së sotme keni mundur të lexoni në medie rreth bllokimit të llogarive bankare të Telekomit të Kosovës. Ky bllokim natyrisht që na ka shqetësuar dhe i gjithë kabineti im po merret intensivisht me institucionet relevante për të gjetur zgjidhje. Filli i kësaj situate që po ndodhë sot është në vitin 2016, kur operatori ekonomik ‘Dardafon.net’ ka fituar në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, aty ku i është njohur e drejta për përmbarim të borxhit. Tashmë kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që urdhëron përmbarim, mirëpo jam i bindur që do të arrijmë më të mirën e mundshme. Ne kemi azhornuar takimet dhe besojmë në zgjidhje. Ftoj punëtorët e Telekomit dhe akterët tjerë të jenë racionalë në deklarata dhe veprime”, ka thënë ministri Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar po ashtu për bllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesi privat në lidhje me rastin e Dardafon.net.

“Sot morëm njoftimin se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara. Pra 24. 6 milionë euro i pretendon pala që sot duhet të ishte e paditur dhe e gjykuar bashkë me nënshkruesit menaxherial e politikë për kontratë me elementë të krimit të organizuar. Çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve. Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Edhe njëherë theksojmë se Telekomi i Kosovës është çështje e sigurisë shtetërore, e sigurisë së 2350 punëtorëve të Republikës së Kosovës dhe e gjithë sektorit të komunikimeve elektronike e shumë ndërmarrjeve tjera publike e private të lidhura me Telekomin. Kjo duhet të ndalet sa më parë dhe heshtja e Prokurorisë e Qeverisë është e patolerueshme. Grupi ynë parlamentar e shtroi këtë çështje ditën e hënën 13 korrik, para Kuvendit, si çështje urgjente, por deputetët e kapur pas pushtetit korruptiv nuk pranuan ta fusnin në rend të ditës. Edhe Kuvendi duhet sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë qëndrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend”, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së njofton se Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogarit bankare nga përmbaruesi privat për rastin me “Z-Mobile”.

Kjo sindikatë e ka quajtur të papranueshëm këtë veprim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve.

Për këtë, Sindikata ka ftuar konferencë të jashtëzakonshme në orën 14:30 në ambientet e Telekomit.

“Ftoheni në konferencë të jashtëzakonshme sot më 15.07.2020, në hollin e ndërtesës kryesore të Telekomit të Kosovës. Arsyeja e thirrjes është: Bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesi privat për rastin z. Mobile”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së PTK-së.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për përmbarim/realizim të borxhit mbi 24 milionë eurosh ndaj kompanisë Dardafon.net, e cila kishte fituar rastin në Arbitrazh.

Lëvizja Vetëvendosje dje kishte tentuar të fuste në rend të ditës çështjen e Telekomit, por nuk ia doli. Sot, VV-ja ka njoftuar se do të tentojë të bëjë sërish këtë përmes Kryesisë se Kuvendit.