Fjalë Kyçe

Sindikata e Sektorit Privat: Këso ndarje kanë ndodhur vetëm nën regjimin e Millosheviqit

Sindikata e Sektorit Privat: Këso ndarje kanë ndodhur vetëm nën regjimin e Millosheviqit

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës po konsideron që Qeveria në detyrë po vepron në mënyrë diskriminuese ndaj sektorëve që kanë nevojë për mbështetje financiare për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Pasi kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti arriti marrëveshje me Sindikatën e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), për t’u paguar shtesa mësimdhënësve, SPSPK po adreson kritika ndaj ekzekutivit duke theksuar se punëtorët e sektorit privat kanë qenë më të ekspozuar ndaj rrezikut nga Covid-19.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se ekzekutivi po i stimulon një pjesë të punëtorëve, derisa të tjerët po i shantazhon e që sipas tij, kjo ka ndodhur vetëm nën regjimin e Millosheviqit.

“Është tmerruese derisa ne me punëtorë qëndruam dy javë në grevë për këtë stimulim që na premtuan që do ta paguajnë dhe nuk e paguan, aq tmerruese ta paguajë një punëtor të arsimit i cili më shumë ka qëndruar në shtëpi se në punë, dhe ne kur jemi infektuar nuk kemi marrë pagë të plotë, nuk kemi marrë asnjë stimulim. Dhe, definitivisht, këto ndarje kanë ndodhur vetëm në vitin 1990-1999 atëherë kur regjimi i Millosheviqit na bënte këso ndarje, të privilegjuarit kishin gjithçka e të sanksionuarit shkonin në shtëpi”, ka thënë ai për KP-në.

Sipas Azemit, 10 milionë që Qeveria e Kosovës i ka paraparë për punëtorë e sektorit privat që e kanë humbur vendin e tyre të punës gjatë pandemisë, përfshijnë vetëm 11 mijë e 111 punëtorë e jo të gjithë që e kanë humbur vendin e tyre të punës.