Federata Sindikale e Punëtoreve të Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar grevë dhe protesta nga 1 marsi në rast se nuk do të plotësohet kërkesa e tyre për rritje të pagave të punëtorëve që kryejnë shërbime për institucionet qendrore e komunale. Kështu ka bërë të ditur, kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, i cili ka theksuar se rritja pagave duhet të jetë e barabartë siç ka ndodhur me sektorin publik , të cilëve nga ky muaj u janë rritur pagat prej 55 euro.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme që janë duke e mbajtur Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, Azemi ka deklaruar se ka kohë që ky sektor po diskriminohet nga shteti, derisa ka shtuar se edhe të dielën në ditën e zgjedhjeve, do të jenë më të “kujdesshëm” se kë do e votojnë.
“Ndarja e mjeteve prej 55 eurove për punëtorët e sektorit publik na gëzon ai fakt, dhe ua bëjmë me dije se ne si punëtor të këtyre shërbimeve që kryejmë jemi të barabartë dhe punëtor që paguhemi nga buxheti i Kosovës, i buxhetit komunal. Vet fakti që të dielën kemi zgjedhje dhe aty do të jemi pak si më të kujdesshëm, përndryshe në javën e parë që kalojmë zgjedhjet, sot do të marrim vendim që do të futemi në grevë dhe protesta, sepse patjetër duhet të realizohet e drejta jonë. Sepse nuk guxojmë të jemi të diskriminuar. Problemin nuk e kemi me kompanitë private të cilat janë direkt të menaxhuara nga vet pronari i kompanisë, problemin e kemi me kompanitë që kryejnë shërbime për institucione shtetërore, dhe kjo pagë e jona nëse deri në fund të muajit shkurt, atëherë në mënyrë gjenerale gjithë punëtorët e sektorit privat që kryejnë shërbime për institucione shtetërore do të futen në grevë, sepse fuqia jonë punëtore tani është më kërkuar si asnjëherë më shumë. Dhe jemi komod që të ua japim një afat dy javorë nëse janë të gatshëm që të na barazojnë, nëse jo atëherë do e gjejmë ne vet”, tha ai.
Ndërsa ka thënë se takimin e sotëm janë bërë parapërgatitjet për veprime sindikale në rast se nuk merren parasysh kërkesat për paga.
Përveç kësaj, ai po ashtu ka thënë që edhe Paga minimale që ka përcaktuar qeveria nuk është duke u zbatuar./KP