Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës i del në krah qeverisë së Kosovës, për vendimin e saj rreth përjashtmit të Telekomit të Kosovës nga Ligji për Prokurimin publik sipas neneve 3.1 dhe 9.4 si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore.
Në një komunikatë për media Sindikata i ka reaguar Autoritetit të Konkurrencës, i cili ditë më parë tha se një vendim i tillë shkel konkurrencën në vend.
Sipas Sindikatës AKK-ja nuk mund të reagojë shabllon, pa hulumtuar e marrë përgjigje të plota nga stafi profesional jo vetëm i Telekomit por edhe i organeve të sigurisë si dhe nga Bordi i Telekomit për gjendjen dhe pozitën e Telekomit të Kosovës.
Në komunikatë bëhet e ditur se Telekomi ndodhet në një gjendje jo të mirë financiare për shkak të abuzimeve në të kaluarën.
“Autoriteti duhet të ketë parasysh që janë mbi 2300 familje që preken në rast se dëmtohet me falimentim Telekomi i Kosovës dhe i gjithë rrjeti i shërbimeve të sigurisë dhe të publikut. Ndaj duhet përgjegjësi e lartë kur deklarohen për çështje të konkurrencës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Sindikatës së Telekomit.
Tutje Sindikata vë në pah edhe shfrytëzimin e aseteve të Telekomit të Kosovës pa asnjë pengesë nga çdo kompani tjetër në treg që ka nevojë. Sipas tyre me vetë asetet e Telekomit kompanitë e tjera i bëjë konkurrencë të pandershëm ndërmarrjes publike.