Tërmeti i djeshëm, që ka prodhuar shkatërrim dhe vdekje në Durrës dhe Thumanë, ka shokuar opinionin publik, që ende po harronte trembjen e lëkundjeve të 21 shtatorit.
Por për sizmologun Rexhep Koçi, kjo periudhë nuk përfaqëson diçka që duhet të surprizojë opinion publik shqiptar, që tashmë duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën gjeologjike të vendit dhe të marrë masa.
“Tashmë opinioni publik e di që Ballkani është zonë shumë aktive , duhet të dijë që aktivitete të tilla do të ndodhin, edhe pse nuk e dimë kur. Prandaj ne duhet të tregojmë një kujdes shumë të madh për sa ai përket arkitekturës së ndërtimit, dhe çdo godinë duhet të jetë në konform legjislacionit aktual”, thotë Koçi.
Ndërkohë, eksperti mohon faktin që tërmeti i 21 shtatorit duhej të shmanget një tërmet tjetër të fuqishëm pak javë më vonë, dhe shpjegon arsyet.
“Tërmeti i 21 shtatorit nuk shkarkoi të gjithë energjinë. Ai kishte thellesi 29 km, kurse ai i djeshëm 59 km, kështu që aktivizimi i thyerjes që ka gjeneruar tërmetin ka ndodhur më në thellesi. Pra nuk është i kondicionuar nga fakti që ka patur një tërmet më parë, sepse gjithçka varet nga energjia e akumuluar në rajon”, shton ai, duke pohuar që tërmeti i djeshëm ishte më i forti në 40 vjet, nga ai i vitit 1979.