Fjalë Kyçe

“S’je më nëna ime”: Si po i ndajnë zgjedhjet familjet amerikane

“S’je më nëna ime”: Si po i ndajnë zgjedhjet familjet amerikane

Bonnie Coughlin pasi nuk votoi për Republikanët më 2016 prishi të gjitha raportet me familjen. Foto: Reuters
Kur demokratja Mayra Gomez i kishte thënë të birit të saj 21-vjeçar, pesë muaj më herët, se do të votojë për Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të së martës (3 nëntor), ai e nxori atë nga jeta e tij.

“Më tha ‘Nuk je më nëna ime, sepse po voton për Trumpin’”, ka thënë 41-vjeçarja nga Milwaukee për “Reuters” në një rrëfim se si politika po përçan familjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Biseda e tyre e fundit ishte aq e rëndë, sa që e ëma s’është e sigurt se do të ketë pajtim mes tyre, edhe nëse Trumpi humb shansin që të rizgjidhet president.

“Dëmi është shkaktuar. Në mendjet e njerëzve, Trumpi është një monstrum. Është tragjike. Ka njerëz që s’po më flasin më dhe s’jam e sigurt se kjo do të ndryshojë”, ka thënë Gomez, që preferon Trumpin për shkak të qëndrimit kundër imigrantëve ilegalë dhe për ruajtjen e ekonomisë.

Gomez s’është e vetmja që mendon se ndarjet familjare do të jenë vështirë të rikuperueshme edhe nëse Trumpi humb zgjedhjet e largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Në intervista me dhjetë votues – pesë përkrahës të Trumpit dhe pesë të kandidatit demokrat për president, Joe Biden – pak thonë se raportet e prishura, të shkaktuara nga qëndrimet e Trumpit mund të rikuperohen, dhe shumica besonin se raportet kanë marrë fund përjetësisht.

Gjatë mandatit të tij, Trumpi ka nxitur reagime të përkrahësve të tij, por edhe të kundërshtarëve. Shumë nga admiruesit e tij kanë mbështetur qëndrimet kundër migracionit, caktimin e gjykatësve dhe retorikën e tij të ashpër, të cilën e cilësojnë si diskutim të drejtpërdrejtë.

Demokratët dhe kritikët tjerë e shohin ish-biznesmenin si kërcënim për demokracinë në Amerikë, gënjeshtar serik e racist që ka keqmenaxhuar me situatën me pandeminë, e cila ka qenë shkaktare për më shumë se 230 mijë vdekje në SHBA deri tash. Trumpi i quan këto deklarime “lajme të rreme”.

Tani, kur Trumpi po e ndjek Bidenin në sondazhet publike, njerëzit po pyesin nëse përçarjet e shkaktuara nga një prej presidencave më polarizuese në histori të SHBA-së mund të shërohen nëse Trumpi humb zgjedhjet.

“Fatkeqësisht, nuk mendoj se rikuperimi kombëtar do të jetë i lehtë me ndërrimin e presidentit”, ka thënë Jaime Saal, psikoterapeute në Michigan. “Duhet kohë dhe punë dhe u duhet dy partive që ta tejkalojnë e të ecet përpara”.

Sipas saj, tensionet në raportet mes njerëzve kanë arritur kulmin sa u përket çështjeve politike. Ajo ka thënë se ka më shumë klientë që kanë probleme me familjarët për çështje politike se për çështje tjera mes bashkëshortëve.

Fqinj vs. fqinj

Zgjedhja e Trumpit më 2016 kishte ndarë familjet, kishte përçarë shoqëritë e kishte kthyer fqinjët kundër njëri-tjetrit. Shumë kishin shfrytëzuar Facebookun e Twitterin për nxitjen e përçarjeve.

Një raport i shtatorit, nga organizata “Pew Research Center”, ka gjetur se rreth 80 për qind e përkrahësve të Trumpit dhe Bidenit nuk kishin fare, apo kishin shumë pak miq që përkrahin kundërkandidatin.

Një studim nga “Gallup”, në janar, kishte gjetur se viti i tretë i Trumpit në zyrë kishte vendosur rekord për polarizim partiak. Përderisa 89 për qind e republikanëve kishin përkrahur performancën e Trumpit në zyrë më 2018, vetëm shtatë për qind e demokratëve ishin pajtuar për këtë.

Gayle McCormic, 77-vjeçare, që ishte ndarë nga bashkëshorti William, 81-vjeçar, pasi ai votoi për Trumpin më 2016, ka thënë se “trashëgimia e Trumpit do të marrë shumë kohë për t’u tejkaluar”.

Ata të dy ende kalojnë kohë bashkë, edhe pse ajo jeton në Vancouver e ai në Alaska. Dy nga nipat e tyre nuk flasin më me të për shkak të përkrahjes për demokraten Hillary Clinton katër vjet më parë. Ajo po ashtu u përjashtua nga të afërm të tjerë e miqtë që janë përkrahës të Trumpit.

Nuk është e sigurt se këto përplasje mes miqve e familjarëve do të marrin fund ndonjëherë, sepse secili beson që tjetri ka një sistem vlerash krejtësisht të huaja.

Votuesja e demokratëve, Rosanna Guadagno, 49-vjeçare, ka thënë se vëllai i saj e ka lëçitur pasi refuzoi ta përkrahte Trumpin katër vjet më parë. Vitin e shkuar nëna e saj përjetoi sulm – por vëllai, që jetonte në të njëjtin qytet, nuk i tregoi fare kur e ëma iu vdiq. Asaj i ishte dhënë lajmi tre ditë me vonesë përmes një e-maili nga kunata.

“Isha përjashtuar nga gjithçka që kishte të bënte me vdekjen e saj, dhe kjo ishte e tmerrshme”, ka thënë Guadagno, një psikologe që punon në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni.

Kushdo që fiton të martën, Gudagno është pesimiste se mund të rregullojë raportet me të vëllain.

Pasiguria për botën pas epokës së Trumpit

Sarah Guth, një spanjolle 39-vjeçare nga Denveri, ka thënë se ka përjashtuar nga jeta e saj disa miq përkrahës të Trumpit. Ajo ka thënë se s’mund ta tolerojë përkrahjen e tyre për çështjet që ndajnë fëmijët imigrantë nga prindërit e tyre.

Ajo po ashtu nuk kishte biseduar as me babanë e vet që e votoi Trumpin, për disa muaj, pas zgjedhjeve më 2016. Të dy tani flasin, por duke shmangur politikën.

Guth thotë se disa nga miqtë e saj s’mund ta pranojnë përkrahjen e saj për Joe Bidenin.

“Kemi shumë mospajtime fundamentale për çështje bazike. Kjo ka treguar se s’përshtatemi në gjithçka. Nuk besoj se kjo do të ndryshojë në epokën pas-Trumpit”, ka thënë ajo.

65-vjeçari Dave Wallace, një pensionist që kishte punuar në industrinë e naftës, është më optimist për përplasjet familjare në një botë pas mandatit të Trumpit.

Ai ka thënë se përkrahja e tij për presidentin aktual ka shkaktuar tensione me djalin dhe nusen e tij.

“Urrejtja për Trumpin te demokratët, është e mahnitshme për mua. Mendoj se është thjeshtë Trumpi, mënyra si i bën të ndihen njerëzit. Nuk mendoj se zemërimi do të bjerë nëse kthehemi në një politikan normal që s’i nervozon njerëzit”, ka thënë ai.

Bonnie Coughlin, ka votuar gjithë jetën për Partinë Republikane, pos në rastin e 2016-s kur kishte përkrahur një kandidat të tretë. Këtë herë, 65-vjeçarja përkrah Bidenin. E rritur në një familje konservatore në Missouri, ajo ka treguar se raportet me motrën, babanë dhe kushërinj – të gjithë përkrahës të Trumpit – janë rrënuar.

Ajo ka shtuar se ende i do të afërmit e tyre, por i sheh më ndryshe.

“Kjo sepse ata kanë përkrahur dikë që është i pashpirt dhe s’ka simpati për askënd tjetër. Nëse Bideni fiton, nuk mendoj se do të flenë qetë natën dhe ta pranojnë atë”, ka thënë ajo.