Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i është përgjigjur paralajmërimeve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për grevë të mundshme në muajin shtator.
Në një konferencë për media, Nagavci tha se konsideron që nuk ka as kohë, as nevojë e as arsye për grevë.
Sipas saj, vazhdimisht kanë komunikim me shkolla dhe mësimdhënës dhe i marrin me seriozitet brengat dhe shqetësimet.
“Deklarata të përvitshme, e të vazhdueshme. Konsideroj që nuk ka as kohë e as nevojë e as arsye për grevë. Zv/ministri është takuar me kryetarin e SBAShK-ut. Kemi komunikim të vazhdueshëm, edhe me shkolla e mësimdhënës. I marrim me seriozitet brengat, shqetësimet. Nëse flasim për tekste e mjete shkollore, reflektimi i shumicës së mësimdhënësve ka qenë se kjo është metodë e duhur”, tha ajo.
Ndryshe, përfaqësues të SBASHK-ut janë shprehur kundër praktikës së MASHTI-t për furnizim me tekste e mjete shkollore përmes subvencionimit të prindërve.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vështirësitë që mund të prodhohen, mund të nxisin kërkesa nga mësimdhënësit për zhvillimin e grevave.