Fjalë Kyçe

S’ka ligj e s’ka barna: Kosovarët detyrohen t’i hyjnë dializës, shteti nuk financon transplantin e veshkave

S’ka ligj e s’ka barna: Kosovarët detyrohen t’i hyjnë dializës, shteti nuk financon transplantin e veshkave

Rreth 250 pacientë çdo të hënë, mërkurë dhe të premte vizitojnë Klinikën e Nefrologjisë në Prishtinë. Jeta e këtyre pacienteve me dializë vazhdon e lidhur për këto aparatura, nga mungesa e ligjit për transplantim të organeve trupore tek njeriu.

Janë bërë më shumë se 20 vite pas përfundimit të luftës dhe shteti nuk u doli në ndihmë këtyre pacientëve. Madje deri para një viti të gjitha terapitë janë detyruar t’i blejnë vet, duke rënduar buxhetin e familjes, pasi që kosto financiare e kësaj terapie arrin deri në 250 euro.

Ka një dekadë që Hamit Hoti nga Lipjani çdo të dytën ditë i nënshtrohet procesit të dializës në Prishtinë.

Përveç lodhjes 10 vjeçare ai hall ka edhe sigurimin e barnave.

“Në dializë jam që 10 vite. Kur e dimë se në çfarë rrethanash, në çfarë situate po jetojmë tash, kushtet e mira janë në përgjithësi. Ka qenë diçka e papritur, kam qenë të mjeku e kam bërë një vizitë për shkak të ftohjes se kam mëndu që kam një ftohje diçka të lehtë, kështu që me ka ardh ky ndryshimi mund të them radikal aty menjëherë. Kam qenë shumë i pa përgatitur, kam mëndu që është gjendje shumë e rendë shumë e vështirë, kryesisht mund të them që mirë është jeta po vazhdojke…Kam qenë shumë i kujdesshëm me këshillat e mjekëve që i kanë dhënë mund të them që për 10 vite e kam shty pa hi në dializë hiç. Kam përdor terapi të rregullte analiza të rregullta…kam kaluar një kohë të gjatë pa hy në dializë. Tash që 10 vite kam hy në dializë…Vështirë është shumë me qëndrua duhet të jesh shumë i disiplinuar, i kujdesshëm një lëvizje e vogël aparati del prej funksioni”, tha Hoti.

Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Ukimeraj, thotë se sëmundja e veshkave atakon më shumë në gjininë femërore.

Diku 1 deri 10 persona preken nga kjo sëmundje. Duke e ditë që transplanti është standard i lartë, hemodializa është terapia më e përdorur në këtë klinikë.

“Sa i përket shkaktarëve të sëmundjeve të veshkave mund të përmendim hipertensionin arterial, i pa diagnostikuar më kohe i pa trajtuar si duhet, diabeti melit ose sëmundja e sheqeri. Shkaktar janë romoronefritet, pleronefritet, kolicistoza renale medikamentet nefrotoksike të cilat nëse përdoren për kohe të gjatë të qojnë në probleme ose sëmundje të veshkave. Kohët e fundit sëmundjet e veshkave janë shumë problematike duke qenë se kemi rritje prej vitit në vit, jo vetëm në vendin tonë por edhe në mbarë botën”, tha ajo.

Ukimeraj tregon se sa e vështirë është jeta në dializë dhe se mosha më e re e shtrirë në këtë klinikë është ajo 21 vjeçare, kurse më e vjetra 81 vjeçare.

“Është e vështirë jeta në dializë duke qenë se janë të lidhur prej aparatit, bëjnë seanca të rregullta të hemodializës tri herë nga katër orë në jave, por që në zgjidhjen e transplantit domethënë të kalimit të ligjit do vazhdojmë më një ritëm të tillë…(04:02) Nuk presin aspak, ne kemi një shërbim 24h, klinika e nefrologjisë funksionon 24 orë. Asnjëherë nuk ka pas liste të pritjes”, shprehet ajo.

Mungesa e psikologëve në hemodializë po i sjell vështirësi infermiereve kontaktin që e kanë me ta çdo ditë tregon infermierja Luljeta Musliu.

“Shpesh ndodh të stafi i hemodializës që nisemi ndoshta edhe me shku në shtëpi mbas orarit të punës edhe duhet mu kthy prapë në punë me vesh uniformën edhe me hi në punë sepse pacientët nuk lihen…Vështirësi ka të shumta si në anën psikologjike të pacientet. Pacientet që janë në hemodializë kanë nevojë për psikolog sepse nuk është e lehtë kur fillimisht një pacientë hyn në dializë dhe mbetet në dializë… Gjatë krejt orarit që pacienti e kryen dializën kujdesi i infermierëve është monitorim, me i mat parametrat, shenjat vitale të pacientit dhe gjendjen e pacientit”, shprehet Musliu.

Infermierja Fatmire Ahmeti tregon se në këtë klinikë ka mungesë ta stafit, pavarësisht kësaj ajo thotë se shërbimi është 24 orë. Madje vështirësi kanë gjatë verës kur shtohen pacientët, pasi që trajtim marrin edhe pacientet që jetojnë jashtë shtetit.

“Pacientet kronik vijnë me tri orare të ndryshme dhe për ato tri orare të ndryshme duhet me pas staf të mjaftueshëm për mi krye seancat e dializës. Pacientet akut edhe aty kemi numër mjafte të madh është stafi që është 24 orësh, por gjatë gjithë ditës. Pavarësisht që shërbimi në secilën mënyre kryhet, absolutisht asnjëherë nuk mbetet asnjë pacientë pa e marrë tretmanin, pavarësish këtyre kushteve që i kemi, sigurisht mungojnë akoma infrastruktura fizike për më pas hapësirë të mjaftueshme për pacientë, stafin edhe për familjarët të cilët secilën herë janë të përfshirë sepse të pacientet kronik çdo herë është i involvuar edhe familjari”, tha ajo.

Klinika e Nefrologjisë përbehet nga 12 mjek internista-nefrolog, 63 infermiere dhe 6 serviser që mirëmbajnë aparaturat.

Procedurën e lodhshme të pacientëve në hemodializë e shpjegon edhe mjeku Mukebir Pajaziti.

“Përmes fistules antrovertikulare domethënë përmes këtyre gjilpërave shpohet fistula merret gjaku shko te dializatori dhe bëhet filtrimi i gjakut aty prapë kthehet në organizëm. Kjo procedurë vazhdon gjatë katër orëve, në këtë mënyrë lëngjet e tepërta tërhiqen. Fillimisht kur vjen pacienti në fillim matet pesha trupore sa ka shtuar lëngje nga dializa paraprake atëherë aq koordinohet në aparat për të larguar peshë trupore për shembull 2 litra 3 4 maksimumi është. Sa i përket hemodializës çdo orë pacientit vazhdimisht i përcillet tensioni arterial si dhe te diabetiket matet edhe sheqeri në gjak”, tha ai.

58 vjeçarit shpresat për një jetë po ia shuan edhe shteti që po dështon që të ofrojë mundësinë për të kryer transplantimin e veshkave. Një transplant i tillë, fillon nga 25 mijë euro e tutje.

“Këtu të na në Kosovë ende nuk ka ligj, një rregullore që të behet transplanti i veshkës megjithëse e di që një staf i mjekeve janë këtu kemi kirurg të mire, mjek të mire që munden me krye atë punë po çka po di unë ligji nuk ka be për këtë transplant. Transplantin më shku me bo diku jashtë kushton pare shumë shtrenjtë, zor është me be atje. Ne se kemi buxhetin si kemi mundësitë me be transplant atje, jashtë nuk kemi mundësi”, shprehet ai.