Fjalë Kyçe

Skandali i “Jumbo” në Kosovë, reagon kompania që dyshohet se terrorizoi lehonën duke e larguar nga puna dy ditë pasi lindi

Skandali i “Jumbo” në Kosovë, reagon kompania që dyshohet se terrorizoi lehonën duke e larguar nga puna dy ditë pasi lindi

Kompania “Jumbo” ka reaguar pas raportimeve se kanë larguar nga puna një grua lehone, dy ditë pas lindjes së fëmijës. Sipas “Jumbo” “e vërteta qëndron ndryshe”.

Reagimi i kompanisë ka ardhur një ditë pas botimit të artikullit “Skandali i “Jumbo” në Kosovë, biznesi i oligarkëve Saimir Mane e Arsim Papraniku terrorizojnë lehonën“.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

“Të nderuar përfaqësues të Reporteri

Nisur nga shkrimi i publikuar nga ju me datë 7 maj 2024 do donim që të informonim publikun, lexuesin tuaj, që e vërteta qëndron ndryshe.

Duam t’ju sigurojmë që rasti i znj. Albenita Zogaj dhe katër punonjësve të tjerë me të cilët ajo ka bashkëpunuar është trajtuar me respektin me të madh gjatë procedurës disiplinore duke u kujdesur maksimalisht për personalitetin dhe integritetin e tyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne kemi zgjedhur që të mos e bëjmë publik rastin, edhe pse të pestat e kanë pranuar fajin. Kjo dalje e jona publike është e kushtëzuar nga akuzat e pavërteta që znj. Albenita Zogaj ka drejtuar kundrejt kompanisë tonë.

Të pestë punonjësit janë ftuar njëkohësisht nga menaxhmenti i kompanisë për një situatë ku vihej re një mungesë e madhe në produkte brenda një kohe të shkurtër. Me ç’rast kemi filluar kontrollin në çdo departament të dyqanit, kontroll nga i cili rezultoi se mungesa më e madhe vinte nga departamenti i arkave i kryesuar nga znj. Zogaj. Më pas, në procedurën e mbledhjes së dëshmive nga punonjësit e këtij departamenti dhe nga vetë znj. Zogaj, kemi arritur që të vërtetojmë se keqpërdorimet janë bërë nga ky departament. Janë siguruar prova nga punonjësit e tjerë që kanë qenë të përfshirë në grupe komunikimi mes tyre duke dëshmuar se si janë realizuar keqpërdorimet.

Të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë situata janë ftuar për ballafaqim dhe të gjithë i janë përgjigjur ftesës me vullnetin e tyre të plotë. Znj. Zogaj dhe katër punonjësit e tjerë e kanë pranuar fajësinë dhe kanë pranuar që do të dëmshpërblejnë kompaninë për dëmin e shkaktuar. Asnjërit prej tyre nuk i është ofruar dokument i gatshëm për nënshkrim dhe nuk i është bërë asnjë presion.

Ishte kërkesë e znj. Zogaj që të ofronte dorëheqjen, të cilën edhe e dha, e jo kërkesë e kompanisë.

Tashmë, të ndodhur para këtij rasti duam të theksojmë se Kompania jonë do të ndërmarr të gjitha masat ligjore që do të ketë në dispozicion për të mbrojtur reputacionin që e ka ndërtuar me vite të tëra ndaj akuzave të tilla të cilat janë vetëm të natyrës deklarative, pa asnjë mbështetje në prova, e të cilat nuk paraqesin asgjë më shumë se sa shpifje dhe fyerje. Akuzat janë trillime të znj. Zogaj dhe aspak të ndershme kundrejt kompanisë dhe kolegëve me të cilët ka punuar shume vite.”.