Dy muaj pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar, ministri i Brendshëm, Agim Veliu, synon që nëpërmes tij të marrë përgjegjësinë kryesore për koordinimin e operacioneve qendrore brenda Kosovës, për t’iu përgjigjur situatës së krijuar me Covid – 19.
Ndonëse kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, të mërkurën kërkoi pajtim mes kabinetit qeveritar për të aktivizuar këtë plan, ky proces ishte në fuqi që nga marsi i vitit të kaluar. Ministri Agim Veliu, me të marrë mandatin e tij të dytë, më 8 qershor të këtij viti, e kishte shfuqizuar vendimin e ish-ushtruesit të detyrës së ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçlës, dhe e kishte aktivizuar të riun.
E për ta funksionalizuar në tërësi planin, Bajram Gecaj, shef i stafit të ministrit, ka konfirmuar se grupi punues i kryesuar nga Veliu do të takohet për herë të parë të hënën, pas dy muajsh që nga marrja e vendimit për aktivizim.
“Në bazë të kompetencave që rrjedhin nga Plani i Reagimit Kombëtar, ministri Veliu do të mbajë takimin e Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), të hënën 3 gusht 2020, nga ora 14:00.
Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve është entitet koordinues shumë-institucional i nivelit të zyrës qendrore, i cili ndihmon menaxhimin strategjik të incidenteve vendore për incidentet e karakterit kombëtar. Shërben si pikë qendrore për planifikim dhe koordinim strategjik qendror të menaxhimit të incidenteve;
Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve është i përbërë nga përfaqësuesit e lartë të segmenteve të MPB-së, ministritë përkatëse, agjencitë e tjera qeveritare, OJQ-të, sektori privat si dhe ekspertët e fushave të ndryshme sipas nevojës.”
Por, aktivizimi i këtij plani, i cili siguron strukturë dhe mekanizma për politikat e nivelit kombëtar dhe për koordinim operacional të menaxhimit të incidenteve, sipas ekspertëve të sigurisë, po bëhet me qëllim që të ruhen kompetencat e Qeverisë dhe të evitohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Edhe në kohën e Qeverisë Kurti, edhe në këtë qeveri, kemi parë që plani për Reagim Kombëtar është shfrytëzuar për të mos shkuar në gjendje të jashtëzakonshme, sepse kështu në mënyrë automatike bartja e përgjegjësive të veprimeve kalon te Këshilli i Sigurisë Kombëtare, por duke e pasur një situatë fragjile mes akterëve të Qeverisë janë duke hezituar që të shfuqizohet fushë veprimtaria e kryeministrit në këtë rast”, thotë Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Sipas tij, ekziston diskrepancë e madhe mes kabinetit qeveritar në raport me zbatimin e këtij plani. E një plan i tillë ishte i aktivizuar edhe nga ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në atë kohë, Sveçla kishte thënë se përmes këtij plani do të konstruktohet struktura për koordinim operacional të menaxhimit të incidenteve.
Shpend Nuhiu, ish-shef i kabinetit të Sveçlës, thotë se ndryshe nga aktivizimi aktual i këtij plani, në kohën e Qeverisë Kurti, Plani i Reagimit Kombëtar kishte funksionuar 24 orë 7 ditë.
“Qendra Operative është krijuar me vendim të u.d. ministrit Sveçla, me vendimin nr.122 të datës 22 mars 2020 dhe ka punuar 24/7 deri në ditën e fundit sa ka qenë Qeveria Kurti. Qendra operative ka qenë në përbërje nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata të Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, përfshirë institucionet e tjera relevante. Qeveria Hoti është një qeveri e hutuar dhe totalisht e çorientuar karshi situatës me pandeminë. Plani i reagimit kombëtar ka qenë i aktivizuar para 4 muajsh, më saktësisht që nga 19 marsi, dhe punohej në ato premisa. Më 8 qershor, ministri Veliu e “aktivizoi” sërish, mirëpo planin nuk e aktivizon ndonjë buton i kuq, e bëjnë të ndihet i aktivizuar puna e drejtuesve politikë e profesionalë dhe mbi të gjitha vendimet politike mbi të dhënat e marra në teren nga profesionistët”, ka thënë ai.
Sipas Nuhiut, Qeveria Hoti e ka humbur kontrollin me menaxhimin e situatës me Covid – 19, duke çuar kështu në shpërputhje totale të qëndrimeve të kabinetit qeveritar.
Qeveria e Republikës së Kosovës në dorëheqje, në mbledhjen e saj të fundit për vitin 2010, pati aprovuar Planin e Reagimit Kombëtar me qëllim që të vendosej qasje gjithëpërfshirëse kombëtare për menaxhmentin e incidenteve.