Fjalë Kyçe

Skenarët e mundshëm pas pezullimit të Serie A

Skenarët e mundshëm pas pezullimit të Serie A

Serie A është pezulluar deri më 3 prill për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit në Itali. Vendimin e ka marrë kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, që ka nënshkruar dekretin që ndalon të gjitha ngjarjet sportive deri më 3 prill në tentim për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit. Italia është vendi më i goditur në Evropë.

Gazeta italiane La Republicca ka shkruar të hënën mbrëma se janë tri opsione pas gjendjes së krijuar.

Nëse përhapja e koronavirusit vazhdon, atëherë shtyrja e Evropianit të futbollit mund të jetë prej mundësive. Shumë vende evropiane tashmë janë prekur nga koronavirusi dhe ngjarje të shumta sportive po anulohen. Sipas La Repubblica, Evropiani mund të shtyhet për vjeshtë apo për vitin tjetër. Kjo do të mundësonte që të përfundoj kampionati italian.

Një alternativë tjetër është ngjeshja e orarit. Ndeshjet e kampionatit italian do të luheshin çdo dy apo tri ditë, ndërsa Kupa e Italisë do të shtyhej për në qershor apo edhe në gusht.

Skenari më i keq, shkruan La Repubblica, është që kampionati të përfundoj tani. Sipas këtij skenari, Federata italiane nuk do të caktonte kampionin, por vetëm skuadrat që dalin në Evropë.

Për rënie nga liga, klubet do të kishin mbrojtje. Në Serie A do të mbeteshin të gjitha 20 skuadrat e këtij edicioni, ndërsa nga Serie B do të kalonin në Serie A dy skuadrat e para.

Të gjithë skenarët janë të komplikuar, ndërsa përgjegjësit e futbollit italian duhet të vendosin shpejtë për ndonjë prej tyre.

Ka mbetur të vendoset edhe për ndeshjet evropiane të skuadrave italiane.