Përderisa kanë mbetur edhe pak minuta deri në përfundimin e afatit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka vendosur nëse do ta dekretojë apo jo Ligjin për Pagat.
Deri më tani nga Kuvendi i Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar nëse Ligji për Paga është dekretuar, apo është kthyer në Kuvend.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nëse presidenti nuk merr asnjë vendim për 8 ditë, atëherë Ligji llogaritet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare, transmeton Telegrafi.
“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.
Në bazë të këtij Ligji, nëse presidenti vendos ta kthej prapa Ligjin, atëherë ai duhet të tregojë edhe arsyet.
“Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit.
Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë”, thuhet në Kushtetutë.
Ditë më parë, këshilltari i presidentit, Ardian Arifaj kishte thënë se Thaçi po e shqyrton mundësinë që Ligjin ta kthejë përsëri në Kuvend.
Deri më tani pakënaqësi për këtë Ligj kanë shprehur disa sindikata të punëtorëve.
Vërejtje kanë pasur Sindikata e Shërbyesve Civilë, kontrollorët ajrorë, punëtorët e RTK-së, dhe një numër i mësimdhënësve nga SBASHK-u.
Ligji për Paga ishte miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, me 62 vota për.