Para 20 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë.
Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit, që synonte t’i jepej fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjate.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt , ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb , sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, transmeton “Klan Kosova”.
Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve , Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas , Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.