Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e tretë përgatitore në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, shkruan Gazeta Alo.
Në stërvitjen e djeshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në shërbim të gjithë futbollistët, pasi ekipit i është bashkuar edhe Benjamin Kololli.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë, ashtu sikurse edhe forma e futbollistëve.
Gjatë seancës përzgjedhësi Challandes ka punuar në aspektin tekniko-taktik, si në fazën e mbrojtjes edhe në atë të sulmit.
Po ashtu gjatë kësaj stërvitje u provuan skema të ndryshme, për ta pasur sa më të qartë dhe më të përgatitur duelin e së premtes kundër Malit të Zi në Podgoricë.
Kombëtarja do ta zhvillojë sot stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” në orën 10:30, derisa në orën 14:00 do të niset për në Podgoricë, ku të enjten në mbrëmje do ta zhvillojë stërvitjen finale para ndeshjes me malazezët. /Gazeta Alo.