NDita e Punëtorëve, 1 Maji, në Kosovë do të shënohet me një protestë dhe një marsh protestues.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK) me rastin e kësaj dite organizon një protestë, e cila do të nisë nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar drejt Ministrisë së Arsimit dhe përfunduar para Qeverisë.
Protesta e SHBASHK-ut do të nisë në orën 10:30.
Ndërkohë që në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” Blloku Feminist Antikapitalist organizon një marsh protestues.
Me rastin e 1 Majti Komuna e Prishtinës ka vendosur që për 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, të ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të parkut Gërmia, përpos autobusëve të linjës 4 dhe veturave emergjente.
Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali, thuhet në vendimin e Komunës.
Të drejtë qarkullimi do të kenë edhe banorët e lagjeve përreth Gërmisë.
Parku Gërmia më 1 Maj tradicionalisht vizitohet nga qytetarë të shumtë.
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo festë lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.