Fjalë Kyçe

Sot pritet të nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sot gjatë ditës pritet të fillojë numërimi i rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur të shtunën se po gjatë ditës së sotme pritet të fillojë edhe numërimi i votave të cilat kanë ardhur përmes postës.

“Aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe të premten në mesnatë, sipas planifikimeve, është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Ndërkohë, shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga rezultatet preliminare janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

KQZ-ja pritet që në fillim të javës së ardhshme të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare duke i hap kështu rrugë formimin të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.