Në objektin e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë, sot pritet të vazhdoje gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të akuzuarve tjerë, në lidhje me akuzat për korrupsion me tenderë.
Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur më 28 maj të këtij viti, gjatë së cilës është dëgjuar eksperti financiar Hysni Selmanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë mirëpo për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, seanca e së enjtes është mbajtur në objektin e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë.
Ky rast gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.
Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.
Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.