Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, thotë se edhe kandidati Demokrat për president Joe Biden, mund të ballafaqohet me disa çështje që mund të kenë ndikim te votuesit.
“Biden mund të ballafaqohet me disa çështje që mund të kenë ndikim te votuesit. Një nga çështjet është mosha e tij, ndonëse edhe Trumpi nuk është shumë më i ri se ai, por këtë çështje ia kanë përmendur vazhdimisht. Çështja tjetër është se votuesit mund të mos kenë një besim të patundur në aftësinë e tij për ta udhëhequr Amerikën, sepse megjithatë ai është i njohur gjatë tetë vjetëve të fundit dhe ia dinë kufizimet deri ku mund të shkojë dhe mund të jetë në disavantazh të tij sa mund të jetë edhe në avantazh. Është diçka diskutabile”, ka deklaruar Spahiu në Interaktiv të KTV-së. “Do të duhet theksuar se në Amerikë është e rëndësishme edhe përkatësia fetare megjithatë. Bideni është me origjinë irlandeze, është katolik dhe në historinë e zgjedhjeve amerikane ka pasur vetëm një president që ka qenë i besimit katolik, dhe ai ka qenë Kennedy. Amerikanët në përgjithësi janë protestantë, ata preferojnë një president që i përfaqëson shumicën.
Ai ka thënë se këto nuk janë vendimtare. Por se janë disa elemente që mund të ketë preferenca te votuesit.
“Por vlen të theksohet. Bideni po ashtu përfaqëson një vijë ideologjike politike dhe liberale. Dmth gjithmonë ka pasur më shumë kujdes për shtresën e mesme e shtresat më të ulëta. Trumpi përfaqëson atë që quhet Amerika kapitaliste, prodhuesit e mëdhenj, manjatët, të cilët i kanë shprehur haptazi mbështetjen për të, sepse i ka liruar nga taksa. I ka zvogëluar taksat për ta e i ka rënduar shtresat tjera. Kjo mund të ketë shkaktuar pakënaqësi në mesin e shtresës së përgjithshme popullore. Demokratët paraqesin qasje më liberale, përkujdes për shtresat e ulëta e të mesme”, ka deklaruar Spahiu.