Fjalë Kyçe

Specialistja paralajmëron për rrezikun që i pret Shqipërinë e Kosovën nga pandemia

Specialistja paralajmëron për rrezikun që i pret Shqipërinë e Kosovën nga pandemia

Ardiana Gjini, specialiste e shëndetit publik në Mbretërinë e Bashkuar gjatë një interviste për Euronews Albania ka bërë një paralajmërim shumë të fortë për institucionet në Shqipëri dhe Kosovë.

Ajo tha se nëse dy vendet nuk vendosin masa kufizuese për festat e fund vitit në 5 javët e ardhshme do të ndeshen me një numër të madh të prekurish nga COVID-19.

Këtë paralajmërim ajo e bazoi në traditën që ekziston mes shqiptarëve për të shkëmbyer vizita gjatë festave por edhe faktit se në këto ditë janë rikthyer shumë emigrantë për të kaluar festat me familjarët e tyre.

“Si profesioniste jam shumë në merak se çfarë do të ndodhë në Shqipëri dhe Kosovë. Në Mbretërinë e Bashkuar janë rishikuar masat dhe janë vendosur masa shumë më të rrepta. Ne si ekspertë kemi kërkuar që këto masa të viheshin dy javë më parë.

Këtë brengë shumë të madhe si profesioniste e kam pasi është një rrezik shumë i madh për Kosovën dhe Shqipërinë nëse vazhdohet pa limitime, nëse vazhdohet ardhja e bashkëvendësve nga diaspora me një numër të pakontrolluar dhe pa masa kontrolli.

Jam vetë shqiptare dhe kam familje në Kosovë, do të doja shumë që të kalojë festat e fundvitit por rrezikun që do të sjellim virusin në Kosovë. Është e papërgjegjshme që të shkojmë në Kosovë dhe Shqipëri. Mbi 9 mijë njerëz kanë mbërritur dje në aeroportin e Prishtinës. Për 5 javë do të jetë në kulmin e epidemisë sikur ishte para 3 javësh”, tha Gjini.

Specialistja e shëndetit publik në Londër shtoi se aktualisht Britania e Madhe po Lufton me një modifikim të COVID-19 që është 70% më shumë i transmetueshëm mes njerëzve sa ishte gjatë mbylljes së parë në mars. Përtej optimizmit, ajo theksoi se vaksina mbetet ende një komponentët i vogël për kontrollin e virusit për shkak se nuk mund të prodhohen aq shumë për vaksinim në masë të popullsisë.

“Procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, është një prej programeve që ka dhënë motivim dhe kënaqësi të madhe. Ka një pritshmëri tejet pozitive në masën e personelit mjekësor por edhe nga popullata e përgjithshme, mirëpo më duhet të theksoj se vaksina është vetëm një prej komponentëve të vegjël për kontrollin e COVID-19 në 2-3 muajt e ardhshëm. Rezultati do të shihet 6-8 jave pas vaksinimit”, përfundoi Gjini.