Fjalë Kyçe

“Specialja mund ta ftojë edhe Thaçin”

“Specialja mund ta ftojë edhe Thaçin”

Numrit të rreth 250 ftesave për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale pritet t’iu shtohet edhe ajo për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Kështu thotë për KosovaPress, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, teksa shton se brenda muajit nëntor presin rreth tri aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithë këto ftesa, Gucati i cilëson si të papranueshme dhe thekson se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.

Kryetari i veteranëve të luftës, thotë se sipas informacioneve jo zyrtare që posedojnë deri më tash janë rreth 250 ftesa për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale, e sipas tij disa prej tyre në cilësinë e të dyshuarve, por edhe me statusin e dëshmitarëve.

Ndërsa, avokati Artan Qerkini thotë se numri i shtuar i ftesave ditëve të fundit tregon se edhe Specialja është vënë para një presioni të atyre që po e sponsorizojnë. Teksa thotë se statusi i një personi gjatë hetimeve nuk është definitiv, pasi sipas tij mund të ndryshojë nga dëshmitari në të dyshuar dhe anasjelltas.

Ndërkaq sot, Gjykata Speciale ka ftuar edhe një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Buçaj, i cili ka qenë ushtar në Zonën Operative të Pashtrikut.