Fjalë Kyçe

Specialja: Në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse

Specialja: Në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse

Përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se aktualisht në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht lidhur me çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës, ajo bëri të ditur se të premten e kaluar, me 22 prill, ka dhënë dëshminë dëshmitari i trembëdhjetë i thirrur nga mbrojtja e Salih Mustafës që dëshmoi kryesisht në seancë publike.

Griep ka thënë se gjykimi i Salih Mustafës filloi me 15 shtator 2021 me deklaratën hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtëses së viktimave.

Tutje, ajo ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ftuar 13 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në gjykatë dhe ka mbyllur paraqitjen e provave të saj me 4 shkurt të këtij viti.

“Mbrojtja filloi me paraqitjen e provave të veta me 22 mars dhe deri tani ka thirrur 13 dëshmitarë. Në bazë të Rregullores të Procedurave dhe Provave të DhSK-së, si prokurorisë edhe mbrojtjes u është dhënë mundësia për tu drejtuar pyetje dëshmitarëve të thirrur nga pala tjetër. Aktualisht ka 8 viktima pjesëmarrëse në këtë çështje dhe përfaqësohen si një grup i vetëm nga mbrojtësja e viktimave e mbështetur nga anëtarët e ekipit të saj ligjor”, ka thënë Griep.

Sipas saj, të hënën e shkuar, me 25 prill, trupi gjykues në çështjen Salih Mustafa nxori një urdhër me të cilin i kërkonte Ministrisë të Drejtësisë, të paraqes parashtrime të mëtejme lidhur me modalitetet e mundshme që viktimat të marrin kompensim, por njëkohësisht të mbeten anonim, në rast se do të ketë shpallje të fajësisë për Mustafën.

Ajo tha se seanca vijuese në rastin e Mustafës është planifikuar për datën 11 maj.

Kurse, tha se me 21 prill, trupi gjykues ka nxjerrë dy vendime lidhur me rishikimin e paraburgimit për Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj.

Në këto vendime, Griep tha se trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit si për Gucatin, ashtu edhe për Haradinaj.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.