Mustafa do të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë, me datën 14 janar 2019.
I dyti i cili është ftuar për intervistim është Nazif Mehmeti i njohur në luftën e fundit në Kosovë si Komandant Dini, ai do të paraqitet në Hagë më 22, 23 dhe 24 janar.
I treti i cili ka pranuar ftesën nga kjo Gjykatë është Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu kjo Gjykatë gjatë ditës së sotme ka ftuar edhe ish-komandantin e UÇK-së, Sami Lushtaku.
Rreth fillimit të punës së kësaj Gjykate, Gazeta Blic ka biseduar me avokatin Gazmend Halilaj. Ai përsëriti qëndrimin tij së një Gjykatë e tillë ka qenë krejtësisht e panevojshme.
“Mbroj qëndrimin e të gjithë atyre që kanë qenë kundër themelimit të kësaj Gjykate, gjegjësisht aprovimin e ligjit 05L/053. Ngase Kosova që prej përfundimit të luftës në vazhdimësi ka pas kodin penal pavarësisht a ka qenë kod i ri apo kod i hyr në fuqi me datën 06.04.2004 apo edhe kodi i tanishëm i aplikueshëm nga data 01.01.2013. Sepse të gjitha këto kode veprave të kryera gjatë luftës gjegjësisht krimeve të luftës i kanë kushtuar një kapitull të veçantë madje në mënyrë shumë strikte dhe të avancuar i rregullojnë këto çështje. Ku pos kryesve të veprave që marrin pjesë direkt njëkohësisht nuk lirohen nga përgjegjësia as eproret e tyre, pavarësisht a kanë qenë pjesëmarrës direkt a kanë pasur njohuri apo jo. Sepse me rëndësi është që veprat janë kryer nga efektivet e tyre. Andaj, çdo ligj apo Gjykatë tjetër e posaçme konsideroj që ka qenë e pa nevojshme’, ka thënë Halilaj.
Avokati tha më tej që në Kosovë që pas përfundimit të luftës, Gjykatat kanë trajtuar të gjitha veprat.
“Kujtojmë faktin se që prej përfundimit të luftës, Gjykatat tona nuk kanë lënë pa trajtuar këto vepra sepse kanë pasur juridiksion të plotë kur janë nxjerr dhe çdo herë po nxirren edhe aktgjykime madje të formës së prerë. Ku për mua si avokat këto procese janë shoqëruar me shkelje flagrante të dispozitave të procedurës penale me karakter absolut”.
Kurse sa i përket numrit të personave që do të akuzohen nga kjo Gjykatë, ai preferoi të mos jap ndonjë shifër.
“Ndërsa sa i përket numrit të aktakuzave nga kjo Gjykatë kjo do të varet varësisht prej rrjedhjes së këtij procesi, ngase prokurori në çdo kohë i jepet mundësia e ngritjes së aktakuzës, tërheqjes nga ajo apo zgjerimit deri në fjalën përfundimtare. Kështu që dua të jem i rezervuar në dhënien e shifrave. Por, sipas njohurive të mia deri më tani nga kjo Gjykatë janë ftuar gjithsej 33 persona”.
Halilaj thotë që fillimi i punës së kësaj Gjykate, nuk do të ketë ndikim në skenën politike, të paktën në pesë vitet e ardhshme.
“Sipas mendimit tim profesional gjithmonë duke u mbështetur në dispozitat ligjore nuk shoh ndikim të paktën Brenda afatit kohor 5 vjeçar. Sepse e drejta në gjykim të drejtë, parimi i barabarësisë së armëve, drejta në respektimin e afateve kohore, e drejta në parimin dyllojshmërisë, pastaj prezantimi i pafajësisë deri në nxjerrjen e një aktgjykimi të formës së prerë natyrisht që marrin kohë, andaj konsideroj që të paktën brenda këtyre 5 viteve të ardhshme nuk do të ketë asnjë ndikim në skenën politike”.
Theksojmë që Gjykata e Hagës, themelimi i të cilës është votuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015, pritet të gjykojë disa krime të luftës për të cilat pretendohet se janë kryer nga njerëz të UÇK-së.
Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000.