Fjalë Kyçe

Spitali i Gjilanit në vend të oksigjenit mjekësor, kontraktoi kompaninë që merret me gazra industriale

Spitali i Gjilanit në vend të oksigjenit mjekësor, kontraktoi kompaninë që merret me gazra industriale

Spitali i Gjilanit, të hënën, ka nënshkruar një tender, zbatimi i të cilit do të mund të ishte fatal për pacientët. Në vend se të furnizohej me oksigjen mjekësor, ky spital e ka kontraktuar një kompani, e cila merret me prodhimin e gazrave industriale. Kontrata është nënshkruar më 10 gusht mes të zyrtarit të prokurimit të këtij spitali, Gëzim Shala, e pronarit të kompanisë Autogeni-Ada-Gas Compani, Ridvan Murati.

KOHA të mërkurën u ka dërguar pyetje Spitalit të Gjilanit, për të marrë informata se si është e mundur që kompania që merret me prodhim të gazit industrial t’i furnizojë spitalet me oksigjen për pacientë. Ata nuk janë përgjigjur. I pamundshëm ka qenë komunikimi edhe me kompaninë meqë kontaktet që figurojnë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve nuk u kanë takuar atyre.

Për të njëjtën çështje është kontaktuar edhe Inspektorati në Ministrinë e Shëndetësisë e edhe Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore. Pasi janë njoftuar nga KOHA, inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Një gjë e tillë është konfirmuar sot përmes një emaili edhe nga Spitali i Gjilanit.

Një ditë me parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se një gjë e tillë as nuk e di që ka ndodhur e as nuk guxon të ndodhë. KOHA ka raportuar për mungesë të oksigjenit mjekësor, si dhe për iniciativat për prodhim të tij për shkak të problemeve infrastrukturore dhe të importit.

Në vitin 2017, në SHSKUK pati ndodhur skandali me furnizim të gazit mjekësor nga një kompani që merrej me gaz industrial. Dyshimet e atëhershme ishin se 4 persona kanë vdekur si pasojë e oksidulit të palicencuar nga AKPPM-ja. Në Kosovë janë vetëm dy kompani, të cilat kanë leje të merren me oksigjen.