Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se pas hetimeve dhe shikimit të kamerave të sigurisë është parë që zjarri i cili përfshiu të mërkurën një dhomë në këtë spital ishte vënë nga një person i maskuar.
Dyshimet e para ishin për defekte elektrike.
“Të shokuar nga sulmi kriminal me të cilin u përballëm! Spitali i Përgjithshëm në Pejë është përballur me një sulm brutal dhe të tmerrshëm. Për dallim që dyshimet e para sipas ekspertizës fillestare ishte që zjarri u shkaktua nga ndonjë defekt elektrik, gjatë hetimeve dhe shikimit të kamerave të sigurisë u pa që zjarri u vu qëllimshëm nga një person i maskuar”, thuhet në njoftimin e Spitalit në Facebook.
Sipas njoftimit, informacioni se ka të bëjë me sulm kriminal nuk ishte publikuar më herët që të mos pengoheshin hetimet.
Në njoftim bëhet e ditur se dëmet janë të mëdha dhe stafi është tronditur.
“Në mëngjesin e hershem të mërkurës, rreth orës 02:20 pas mesnate, një person, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ka hyrë me forcë në dhomën ku janë pajisjet e Teknologjisë Informative dhe i ka vënë flakën kësaj dhome. Ky akt i paprecedent ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka tronditur thellë stafin dhe pacientët tanë. Megjithatë, për fat të mirë, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur humbje jetësh apo humbje të dhënash. Ky sulm na ka goditur në zemër të veprimtarisë sonë dhe na ka bërë të ndiejmë pasigurinë që kjo situatë e krijuar nga aktet kriminale ka sjellë”, thuhet në reagim.
Dhoma që u përfshi nga flakët përfshin edhe arkivin e spitalit.
Zjarri ishte lokalizuar shpejt.