Fjalë Kyçe

“S’po shkohet në shkollë”, protestohet në gjithë vendin

“S’po shkohet në shkollë”, protestohet në gjithë vendin

Këshilli i nxënësve, bashkë me atë të rinisë së Republikës së Kosovës, të martën në mesditë, në 28 komuna të vendit, kanë organizuar marsh protestues me moton “S’po shkohet n’shkollë”, për të kërkuar nga institucionet shtetërore, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit që të kthehet vëmendja në arsim.

Sipas Denis Krasniqit, nxënës i gjimnazit të shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” në kryeqytet, infrastruktura në këtë institucion arsimor e të tjerat në vend nuk është aspak e mirë për të mbajtur mësim cilësor meqë mungojnë kabinete të lëndëve të ndryshme, salla të edukatës fizike e nuk plotësohen kushte të tjera për mbarëvajtjen e mësimit.

Ndërsa, sipas Ditjon Fetahut, anëtar i këshillit të rinisë në Republikë, nxënësit e shkollave të vendit kanë probleme me tualete pa ujë të ngrohtë, bullizëm e dhunë, e me qenë endacakë.

Ministria e Arsimit sot ishte në pushim festiv e nuk komentoi për protestën, ndërsa drejtorja e arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, tha se janë duke e përpiluar një plan intensiv për ta kthyer vëmendjen e komunës në arsim.

Me rishikimin e buxhetit i cili pritet të bëhet në qershor, sipas Musmuratit, veç për projekte infrastrukturore do të ndahen para edhe për trajnimin e mësimdhënësve, po ashtu për të luftuar bullizmin dhe ndaluar dhunën në shkolla.