Fjalë Kyçe

Stadiumi “Fadil Vokrri” mbyllet edhe pse kreu i FFK-së, Agim Ademi tha se është në gjendje shumë të mirë,para dy jave

Stadiumi “Fadil Vokrri” mbyllet edhe pse kreu i FFK-së, Agim Ademi tha se është në gjendje shumë të mirë,para dy jave

Zhurma dhe polemikat rreth fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë kanë marrë përgjigje sot me një konstatim se kjo fushë ende nuk është në gjendjen çfarë duhet të jetë.

Pas një vizite që ia bënë ministri i Sportit, Hajrulla Çeku me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, bashkë me ekspertë të UEFA-s, u vendos që stadiumi të mbyllet nga çdo aktivitet sportiv deri më 15 tetor, në mënyrë që të pritet rritja e barit natyral, shkruan “Gazeta Express”.

Vendimi për mbylljen e sërishme të stadiumit vjen dy javë pas një deklarate që e lëshoi për opinionin kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili kishte thënë se “fusha është në gjendje shumë të mirë”.

Kjo deklaratë e Ademit kishte ardhur si reagim ndaj polakëve të Legia Varshavës, të cilët ishin ankuar në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, në të cilën Kosova investoi rreth 1,3 milion euro për ta shndërruar atë në fushë hibride.

“Edhe pse gjatë punimeve të kësaj fushe ka marrë kohë me temperatura shumë të larta, fusha është në gjendje shumë të mirë. Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin. Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme”, kishte shkruar Ademi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social, “Facebook”.

Pas çekëve, edhe selektori i Kosovës, Franco Foda, para lojës me Rumaninë kishte thënë se fusha nuk është në gjendje të duhur.

Edhe mediat rumune, që kishin ardhur me Kombëtaren e Rumanisë në Kosovë, kishin shkruar se 90 për qind e fushës është plastikë.

Krejt këto kishin zgjuar shumë debat dhe zhurmë në vendin tonë, e që sot detyrimisht u vendos të mbyllet stadiumi deri më 15 tetor.

Kështu, FC Prishtina nuk do të mundë të luajë në stadium për më shumë se një muaj.