Dita e dytë e vitit të ri shkollor nisi më ndryshe për nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi’’ të Prishtinës.
Drejtorit të gjimnazit, Ilmi Reçica, iu dha urdhër që të mos i hapë dyert e këtij objekti shkollor, urdhër ky i bazuar nga vendimi që drejtoria e Arsimit e kishte miratuar muaj më parë.
Në këtë vendim parashihet zhvendosja e nxënësve dhe stafit të këtij gjimnazi në dy objekte tjera, derisa objekti aktual parashihet që të rrënohet.
Reçica shton se pavarësisht vendimit për mos- hapjen e dyerve të shkollës, me kërkesën e prindërve, mësimdhënësve dhe të vetë nxënësve, mësimi filloi rregullisht.
Ndërsa, vendimin e drejtorisë së Arsimit, të pavend e cilësojnë edhe nxënësit e këtij gjimnazi.
Përveç nxënësve dhe prindërve, vendimin e komunës e kundërshtojnë edhe mësimdhënësit e këtij gjimnazi. Bislim Krasniqi thotë se për kushtet brenda këtij vendimi, nuk janë të informuar dhe se analiza e hartuar nga drejtoria dhe kompania përgjegjëse, është e nxituar.
Krasniqi thekson se drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, po ashtu nuk i ka informuar ata se deri kur parashihet qëndrimi i tyre në objektet e gjimnazeve tjera.
Mirëpo, qëndrimi në këto dy objekte, sipas drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, do të zgjasë vetëm një vit shkollor, derisa sipas planit, ky gjimnaz pritet të bartet në një lokacion tjetër.
Shala shton se zhvendosja e gjimnazit “Ahmet Gashi” është e domosdoshme duke parë gjendjen aktuale të tij. Derisa tha se për vendimin e marrë, ishin pajtuar me stafin e mësimdhënësve para dy muajsh.