Fjalë Kyçe

Stavileci: Me lëmoshë të vogël qeveria po mendon se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike

Stavileci: Me lëmoshë të vogël qeveria po mendon se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se rritja e inflacionit gjatë muajit mars në 10 përqind është një rekord i zi për ekonominë e vendit.

Ai tha se shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit, do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Stavileci ka shkruar në Facebook se ky është një rekord tejet negativ në një kohë shumë të vështirë për koston astronomike të jetesës së familjeve kosovare.

“Pra, inflacioni për muajin mars është 10%. Rritja enorme e çmimeve me këto vlera inflacioni po arrijnë rekorde të zeza për sa i takon rëndesës që po i bëhet një familjeje për ta kaluar mezi muajin. Shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, tha Stavileci.

Sipas tij Qeveria po mendon se me lëmoshë të vogël, zgjidhen problemet e mëdha.

“Ndërkaq, qeveritarët edhe ashtu në deflacion vizioni e idesh për t’i tejkaluar sfidat e sotme, me lëmosha të vogla e të çastit po mendojnë se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike.
Përderisa të gjitha po përkeqësohen në kurriz të qytetarëve, ne ende s’e kemi parë asnjë zgjidhje meritore afatgjatë, përveçse lëmoshës për muajin prill, e cila i bie të jetë nga 11.1 euro për muaj deri në fund të vitit.” ka shkruar Stavileci.