Raportimet se mallrat nga Serbia po futen në Kosovë përmes vendeve fqinje i ka mohuar, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës në një bisedë për Insajderin ka thënë se nuk ka asnjë indikacion që mallrat serbe janë futur në Kosovë përmes vendeve fqinje. Madje, ai thotë se Kosova ka bashkëpunim me doganën e Maqedonisë Veriore dhe se janë dakorduar që së bashku të hetojnë rastet e dyshimta.
Në anën tjetër, ai nuk e ka mohuar faktin se ka pasur tentime për kontrabandë para dhe pas masës prej 100 % ndaj Serbisë e Bosnje Hercegovinës.
“Kemi vërejtur raste të tentim kontrabandës, por për dallim nga periudhat tjera tani mallrat në tentim për kontrbande janë të natyrës ushqimore me vlera të ulëta”, ka thënë ai për Insajderin.
Ai ka thënë se Dogana e Kosovës edhe para vendosjes së taksës ndaj Serbisë e Bosnje Hercegovinës ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që të mos ketë rritje të kontrabandës.
Duke folur për rënien e importit nga Serbia e Bosnje Hercegovina, Stavileci ka treguar se ka rënie shumë të madhe, krahasuar me periudhat paraprake ka ulje në masë prej 99 %.
“Si shembull nëse para masës nga Serbia dhe Bosnja janë importuar gjate një ditë 1.4 milion euro produkte tani kemi 7000-8000 euro import gjatë ditës”, tha ai për Insajderi.
Në media ka pasur disa lajme që në Kosovë mallrat serbe po futen përmes vendeve fqinje, si Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Kroacia.
Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajic ka thënë se përkundër faktit se Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë, ato po vazhdojnë të hyjnë përmes tregut të zi në Kosovë.
Ljajic duke folur për RTS ka thënë se mallrat serbe po gjejnë tjetër udhë që atje mbërrin nëpërmjet kanaleve të ndryshme, fillimisht shkojnë në Kroaci dhe Maqedoni tani futen për në Kosovë.
“Një pjesë e mallrave shkon në Kroaci pastaj nga atje mbërrin të shitet në Kosovë. Po ashtu, për shembull ka mallra që përfundojnë në Maqedoni pastaj arrijnë të depërtojnë në Kosovë”, ka deklaruar Ljajic.
Madje edhe presidenti, Hashim Thaçi në një intervistë duke folur për taksën e vendosur ka thënë se pavarësisht kësaj mase të vendosur nga Qeveria e Kosovës, kontrabandimi është rritur në pjesën veriore të Kosovës.
“Taksa është në fuqi mirëpo ajo çka është më e rëndësishme dhe vlen të theksohet është duke u dëmtuar në aspektin ekonomik me disa miliona euro por është fakt se kontrabanda është rritur në veri dhe mallrat serbe po futen në Kosova pavarësisht taksës sepse kemit ë bëjmë me një riambalizhim të produkteve serbe coftë na mal të zi coftë në Maqedoni”, ka thënë Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka vendosur me 21 nëntor taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia e BeH. Ky vendim po kundërshtohet ashpër nga zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ata po kërkojnë që të heqin tarifat dhe t’i hapet rrugë dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po insiston se nuk do të ketë shfuqizim të taksës derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.