NATO nuk do të tërhiqet nga baza në Bondsteel dhe do t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
“Jemi këtu për t’i mbrojtur të gjithë njerëzit, përfshirë edhe komunitetin serb, deklaroi Stoltenbergu për TV Prva të Beogradit, duke theksuar se NATO nuk planifikon që ta zvogëlojë praninë e trupave të veta në Kosovë.
Çështja e largimit të trupave amerikane është përmendur ditë më parë kur në Kosovë qëndruan dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të cilët kërkun nga Qeveria e Kosovës të hiqet taksa ndaj mallrave serbe në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet me Serbinë. Ambasada amerikane ka mohuar që dy vizitorët të kenë kërcënuar me largim të ushtarëve në rast se nuk hiqet taksa.
E, shefi i NATO-s nga televizioni serb është pyetur edhe rreth asaj “se si e sheh bombardimin e Jugosllavisë së atëhershme pas dy dekadave”, për cka ai thotë ka qenë “detyrë e NATO-s ka qenë që të ndalet lufta dhe katastrofa humanitare, por edhe të pengohet humbja e jetëve të civilëve”.
“Çdo humbje e jetës së civilëve është tragjedi e madhe”, tha zyrtari i Aleancës, duke shtuar se e kupton se bombardimi edhe sot është temë e rëndë.
Stoltenbergu thotë se NATO e respekton qëndrimin e Serbisë se nuk dëshiron të jetë anëtare e Aleancës dhe do që të mbetet neutrale, por gjithashtu e respekton edhe atë se Serbia dëshiron të jetë partnere e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, në fatkeqësitë natyrore e ngjashëm.