Fjalë Kyçe

Suedezja 22-vjeçare ngacmohet seksualisht nga një burrë në tualetin e ‘Gizzi Grill’, i hyri i zhveshur dhe e preku nëpër trup

Suedezja 22-vjeçare ngacmohet seksualisht nga një burrë në tualetin e ‘Gizzi Grill’, i hyri i zhveshur dhe e preku nëpër trup

Rastet e ngacmimeve seksuale në hapësira të ndryshme publike në Kosovë nuk janë të rralla. Në shumicën prej këtyre rasteve viktima janë vajzat e moshave të reja, të cilat keqpërdoren seksualisht nga burrat që shpesh del të jenë edhe të moshuar, raporton Gazeta Sinjali. Për një rast të tillë që ka ndodhur në njërin nga restorantet e njohura në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kanë nisur së fundmi hetimet.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në tualetet e lokalit ‘Gizzi Grill’ dhe viktimë kësaj here është një 22-vjeçar, shtetase e huaj.

Kush dhe si e ngacmoi seksualisht?

Rasti që ndodhi në orët e para të mëngjesit alarmoi stafin e restorantit dhe Policinë që u njoftua se një vajzë po ngacmohej seksualisht nga një burrë. E reja, e cila siç mëson Sinjali është suedeze, dyshohet se u ngacmua në tualetin e lokalit nga një person, i cili ia zuri pritën posa ajo shkoi aty dhe i doli përpara i zhveshur.

Përveç që e tmerroi me veprimet e tij, i dyshuari, që sipas dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve ishte një burrë i shkurtër me trup dhe me mjekër, ai ia largoi stolitë që i kishte në qafë dhe nisi ta prek nëpër pjesët e trupit. Situata që e përjetoi shtetasja e huaj eskaloi edhe më shumë, kur në tualet hyri edhe një person tjetër, që ia shtoi dyshimet asaj se edhe ai mund të vepronte njëjtë.

Burimet thonë se atë e shpëtoi shoqja e saj, me të cilën ishte në këtë restorant, e cila e shqetësuar shkoi në tualet për ta parë gjendjen e 22-vjeçares. Aty dyshohet se intervenoi edhe menaxheri i restorantit.

Sipas informatave të para, i dyshuari ende nuk është identifikuar nga Policia, ndërkohë që janë intervistuar viktima dhe mikja e saj, si dhe menaxheri i këtij lokali.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet në drejtim të veprës penale “ngacmim seksual” dhe të sigurohet prezenca e të dyshuarit, posa të bëhet i ditur identiteti i tij.