Fjalë Kyçe

Suedia U19 e fortë për Kosovën U19

Suedia U19 e fortë për Kosovën U19

Duket se fitorja e thellë kudër San Marinos dhe dëshira e madhe për të fituar nga Suedia, e cila edhe pse dje humbi nga Qiproja llogaritet si favorite e grupit, i dogji futbollistët e rinj të Kosovës të cilët dorën në zemër ka pak muaj që janë formuar si ekip.

Në radhët e ekipit të Kosovës ndjehej edhe lodhja nga ndeshja e djeshme ku luajtën me mish e me shpirt, prandaj suedezët treguan se kanë mjaft përgatitje fizike dhe përvojë, ndaj edhe shënuan fitore bindëse me rezultat 6:1.

Futbollistët e Suedisë kaluan në epërsi pas dy minutave lojë përmes Naslundit, ndërkaq në minutën e 5-të Milovanoviç shënoi për 2:0 dhe i njëjti shënoi edhe në minutën e 15-të duke përmbyllur pjesën e parë me rezultat 3:0. Edhe pjesa e dytë nuk solli freski të ekipi kombëtar U19, kështu që në minutën e 21-të ngriti epërsinë në 4:0 Veselinoviç, i cili shënoi edhe dy herë tjera në minutën 29-të dhe 36-të nga penalltia pasi Kosova kishte shkaktuar pesë faulle.

Futbollistët tanë më kot u orvatën që të  bëjnë diçka më shumë, ndërsa golin e nderit e shënoi Liridon Lahu dhe kështu ndeshja u përmbyllë me rezultat 6:1 për Suedinë. Skuadrat nesër e kanë ditë pushimi, ndërsa të premten Kosova do të zhvillojë ndeshjen e fundit kundër Qipros.

Suad Keçi, përzgjedhës
Unë prej fillimit kam thënë se Suedia është favorite e grupit. Humbja e saj nga Qiproja me sa duket ishte një dobësi e rastit. Kam thënë se ne veç sa jemi formuar, ndaj e di që na mungojnë përgatitjet, forca fizike e ekipit dhe përvoja e futbollistëve të rinj. Me gjasë edhe fitorja e thellë ndaj San Marinos dhe dëshira e madhe e këtyre djemve bëri që në momente nuk arritën të japin më të mirën. Por, unë besoj se me punë mund të arrijmë më shumë dhe duhet të përgatitemi për ndeshjen e tretë kundër Qipros që të japim maksimumin tonë. Çdo gjë mbetet të shihet të premten.