Një grua zvicerane ka mbërthyer një grua tjetër për fyti dhe ka lënduar edhe një tjetër me thikë brenda një qendre tregtare në qytetin jugor zviceran, Lugano, në ngjarjen që prokurorët federalë e cilësuan si sulm të dyshuar terrorist, njofton agjencia Reuters.
Policia kantonale në Ticino ka bërë të ditur se sulmi ka marrë fund dhe se e dyshuara, një 28-vjeçare që jeton në zonën përreth, është në paraburgim.
Njëra prej të sulmuarave ka pësuar lëndime serioze, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa viktima tjetër ka pësuar lëndime më të lehta.
“Një qendër tregtare në Lugano ishte skenë e një sulmi të dyshuar me motive terroriste ndaj disa personave”, ka njoftuar zyra federale e Prokurorit të Përgjithshëm. “Në këtë kontekst, një person me shtetësi zvicerane është arrestuar dhe tani është në paraburgim… Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër ka nisur procedurë penale ndaj të arrestuarit”, thuhet më tutje në njoftim.
Zvicra neutrale ishte kursyer nga sulmet masive xhihadiste, të cilat nxitën Francën dhe Gjermaninë që të insistojnë gjatë këtij muaji për ashpërsim të kontrolleve në kufijtë e Bashkimit Evropian, pasi që militantë të dyshuar islamikë lanë të vrarë tetë persona në Paris, Nice dhe Vjenë gjatë këtij muaji.
Mirëpo, vendi ka identifikuar me qindra banorë që janë cilësuar si kërcënim dhe si militantë që kanë udhëtuar nga zonat e luftës.
Dy persona të arrestuar në qytetin Winterthur afër Zvicrës, gjatë këtij muaji, shkaku i lidhjeve të mundshme me xhihadistin që kishte ndërmarrë sulmin e 2 nëntorit në Vjenë, ku të vdekur kishin mbetur katër persona, është konfirmuar ta kenë vizituar sulmuesin gjatë korrikut.
Në shtator, një burrë të cilin mediat zvicerane e cilësuan si “Emirin e Winterthurit” dhe e përshkruan si militantin kryesor në Zvicër, ishte dënuar me 50 muaj burgim shkaku i lidhjeve me Shtetin Islamik.
Prokurorët federalë kanë bërë të ditur se rasti fatal i therjes me thikë të një portugezi në qytetin perëndimor zviceran, Morges, gjatë shtatorit, ende është duke u hetuar si akt me “motive të mundshme terroriste”. Me këtë rast ishte arrestuar një shtetas turko-zviceran.