Policia e Vjenës ka thënë se dy persona janë vrarë si pasojë e asaj që Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, ka thënë se është “sulm terrorist” në qendër të qytetit.
Zyrtarët policorë kanë thënë se një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, përfshirë një zyrtar policor.
Një i dyshuar është qëlluar dhe është vrarë nga zyrtarët policorë, sipas policisë.
Ministria e Brendshme ka thënë më herët se një sulmues ka vdekur dhe një tjetër është në arrati.
Mirëpo një zëdhënës ka thënë më vonë se të paktën një i dyshuar është dërguar në mbajtje pas incidentit.
Policia e Vjenës ka thënë se thënë se kanë qenë “disa të dyshuar të armatosur me pushkë” në “gjashtë lokacione të ndryshme”.
Policia në Vjenë ka thënë se sulmi është ende aktiv.
“Qëndroni në shtëpi! Nëse jeni nëpër rrugë, strehohuni. Qëndroni larg vendeve publike, mos përdorni transportin publik!”.
Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, ka thënë se sulmi i së hënës besohet se është terrorist.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se besojmë që duket se kemi një sulm terrorist”, ka thënë ai.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se republika që drejton ai, po kalon nëpër periudhë të vështirë.
“Dua të falënderoj të gjitha shërbimet e emergjencës që rrezikojnë jetën e tyre për sigurinë tonë, sidomos sot. Policia jonë do të marrë masa vendimtare kundër autorëve të këtij sulmi të tmerrshëm terrorist”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale.
“Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.
Policia ka thënë se operacioni në qendër të qytetit është duke vazhduar dhe se ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit.