Fjalë Kyçe

Sulmi fizik në AKRK, përplasen deputetet e pozitës dhe opozitës

Sulmi fizik në AKRK, përplasen deputetet e pozitës dhe opozitës

Mes akuzave e përplasjeve mes deputetëve të pozitës, opozitës dhe anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, është zhvilluar debati në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregtim, në të cilën janë formuar grupet e punës për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë, dhe është shqyrtuar raporti vjetor i AKRK-së për vitin 2023. Kjo për shkak sulmit fizik që dyshohet të ketë ndodhur në këtë institucion.

Deputetja nga LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka kërkuar përgjigje nga kryetarja e këtij institucioni, lidhur me emërimin e drejtorit, Delajdin Beqa, i cili sipas saj, është i njohur për skandalin që ka bërë në autoritet.

“Në nëntor, Selajdin Beqa, i akuzuari këtu që ka rrahur Shemsedin Elezaj, dhe po të njëjtin me 19 dhjetor e ke emëruar drejtor, me çfarë baze dhe a keni qenë në njohuri për skandalin që është bërë në autoritet”, ka pyetur Bunajku-Rexhepi.

Kryesuesja e bordit të AKK-së, Naime Bunjaku-Isufi ka thënë se janë organet hetimore të cilat do të japin një epilog përfundimtar, dhe se sot janë për të disktuar për çështje tjera.

“Ne jemi sot që të përgjigjemi për aktivitetin dhe planet e punës që kemi realizuar në vitin 2023, për këto janë organet hetimore të cilat do ta japin një epilog përfundimtar”, ka thënë Bunjaku.

Akuzat e deputetes ndaj kësaj çështjeje vazhduan, duke insistuar të marrë përgjigje nëse e njëjta ka marrë pëlqimin e bordit për emërimin e tij.

“Përgjigju veç çka të pyes, e çka pyes unë është problemi jem, dhe ti e ke të drejtën këtu të përgjigjesh, e dimë që janë organet, e dimë që drejtori që ka bërë skandal e ke emëruar drejtor, nuk është e mundur me prit organet kompetente ta thonë fjalën e vet, mirëpo me çfarë të drejte e keni emëruar drejtor njeriun që është rrah me zyrtarë…ka aktakuzë… A e ke marrë pëlqimin e bordit që të emërosh…Jepja fjalën diku tjetër se ndoshta nuk po dinë të përgjigjesh”, ka pyetur Bunjaku.

Ajo shtoi se do të presin vendimin final prej gjykatës, duke shtuar se do të sjellin fakte që komisioni i jashtëm ka vlerësuar këtë.

Ndërkaq, për emërimin e drejtorit në këtë institucion foli edhe anëtarja, Zalfije Osdautaj, e cila tha se kryetarja nuk është konsultuar me bordin.

“Kryetarja e ka emëruar drejtorin dhe nuk është konsultuar me neve, edhe përkundër që kemi insistuar që të pritet komisioni i jashtëm, nuk është formuar në bazë të rregullt. Ne kemi qenë kundër, vetëm kur e kemi parë që është bërë drejtor”, tha ajo.

Për këtë, deputeti nga partia në pushtet, Driton Hyseni ka thënë se nëse ligji nuk e parasheh, nuk është e nevojshme të merret pëlqim.

E deputetja Bunajku shtoi se drejtori që është i akuzuar nuk ka të drejtën e fjalës.

Për këto akuza ndaj drejtorit, juristi Florent Mehmeti ka thënë se ligji e njeh edhe heshtjen administrative.

Me pyetje ka vazhduar deputetja, Bunjaku-Rexhepi.

“Kamerat të cilat i keni vendosur në autoritetin e konkurrencës, ku është vendimi, ma nxjerr, a e ke marr vendimin e bordit, dhe kush i kontrollon sipas ligjit. Do duhej t’i kontrollonte drejtori administrativ, ku i kontrollon ky i akuzuari juaj…Ti po i vëzhgon pa autorizim bordin, a je e vetëdijshme çfarë ke bërë, keqtrajton punëtorët, abuzon, luan me psikiken e tyre, tregoma vendimin… A i keni mbyll zyrtarët, inspektorët brenda zyrave dhe ka pas një punëdhënës me dializë dhe nuk i ke lejuar të dalin me arsyetimin se ka rrjedhje të informacionit… Ju a jeni takuar me kompani të cilat i keni hetuar personalisht, organet do të argumentojnë”, ka shtuar Bunjaku-Rexhepi.

Fjalën ka insistuar të marrë edhe drejtori i autoritetit, Selajdin Beqa, mirëpo deputetja Bunjaku ka insistuar të mos e lejojë të flasë.

Beqa ka thënë se këtë çështje do ta çojë deri në fund.

“Inspektori hetues që është pranuar militanti e ke vajzën e dajës së kryetarit Abdixhiku. Deputete e ke hap kutinë e pandores, ta kesh parasysh, do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Driton Hyseni ka kërkuar nga deputetja Bunjaku-Rexhepi të fokusohet te raporti dhe jo te “llafet e kafeve apo skutave”.

“Po dua të shpenzoj diskutimin për raportin vjetor, mandej thellohu ti në detaje që i dëgjon qoftë kafeve, apo skutave që qëndron ti”, ka thënë Hyseni.

Për këtë, deputetja ka kërkuar përgjegjësi nga deputeti për fjalët.

“Kush rrin skutave, a nuk po të vije marre, unë nuk rri skutave, tërhiqe fjalën dhe kërko fjalën, ke kujdes çfarë po flet, nëse ju i mbroni këta të akuzuar, është problemi juaj, kjo është edukata juaj që ke sjell në kuvend, këqyrni gratë e juve ka po rrinë…komisioni duhet të shikojë edhe kryetaren dhe mos ta lejojë të akuzuarin në zyre, dhe mos të shfrytëzojë veturat zyrtare, të joshet me një veturë për të tërhequr vendimet, dhe në fund rekomandoj të shkarkohet kryetarja e këtij bordi”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala ka kërkuar rregulloren për sekretet tregtare.

“Më bëri përshtypje në cilën bazë ligjore jeni mbështetur kur keni nxjerrë rregullore për sekretet tregtare dhe kush e ka punuar këtë rregullore. A mund ta kem rregulloren që nuk e kam parë, a e keni punuar në harmoni dhe me legjislacionin”, ka pyetur Shala.

Për këtë, Mehmeti ka thënë se do ta keni rregulloren, mirëpo shtoi se nuk ka njohuri se kush e ka hartuar.

Edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar pas gjithë këtyre akuzave.

“Më shqetësoi fakti se në punën tuaj të përditshme ka abuzime, ka diktaturë, dhe që nuk përputhen me ligjin. Ju mund të përfaqësoni, të jeni kryetare, por që në asnjë mënyrë që ju ta bëni ligjin, jeni të thirrur të implementohet ligji dhe të keni për bazë në çdo nen…Nuk më pëlqeu as pozicionimi që tha do t’i shkoj kësaj pune deri në fund, kërkoj ta di për kë e pate fjalën, nëse e ke për deputeten keni gabuar, sepse e ka fjalën e lirë këtu, ka konflikte të interesit sa e pash këtu. P.sh. Emrushi përfaqëson investitorët evropianë, përfaqëson odat e bizneseve, ndërsa ka bashkëshorten inspektore, a nuk është konflikt interesi, në çfarë mënyre keni mundur ta bëni këtë”, tha Lekaj.

Ndërkaq, derisa drejtori Beqa mori fjalën, deputetja Bunjaku ka lëshuar sallën.

“Lidhur me çështjen e fjalisë së fundit “do t’i shkoj deri në fund” e kisha fjalën që të bëj një ekspozetë të autoritetit, dhe nuk mund ta imagjinoni sa ka ndryshuar autoriteti për të mirë… Nuk mund të toleroj që të qëndroj në një tavolinë në të cilën akuzohemi për gjëra të pabëra, që nuk kanë ndodhur, ka edhe gjëra imagjinare këtu, jam i gatshëm të flas për secilën çështje, autoriteti ka ndryshuar për të mirë, këtu është problemi”, tha Beqa.

Ndërkaq, gjatë prezantimit të raportit, kryetarja në këtë institucion, Bunjaku, ka thënë se në sektorin e telekomunikimeve kemi shqiptuar një gjobë prej 1.5 milion euro.

“Në vitin 2023 AKRK ka ndërmarrë hapa tejet të rëndësishëm për të mbrojtur dhe promovuar konkurrencën e ndershme në tregjet në gjithë vendin… Kemi bërë përqendrimet e ndërmarrjeve, 33 raste të ndryshme gjatë vitit 2023, nga sektorë të ndryshëm që afektojnë tregun e Republikës së Kosovës. Përqendrimet sipas sektorëve i kemi ndarë, në sektorin e telekomunikimeve kemi shqiptuar një gjobë 1.5 milion euro, vendimin për ndalimin e përqendrimit si dhe vendimin për fillimin e procedurës hetimore në fushën e metaleve dhe minierave dhe industrisë përpunuese në tregun gjeografik të Kosovës, pastaj kemi kaluar edhe në tregun e shërbimeve të IT-së, tregu i produktit është prodhimi dhe përpunimi i xhamit”, tha Binaku.