Fjalë Kyçe

Sulmuesi i Prishtinës, Ahmed Januzi shprehet i lumtur me dy golat e shënuar sot ndaj Ferizajt

Sulmuesi i Prishtinës, Ahmed Januzi shprehet i lumtur me dy golat e shënuar sot ndaj Ferizajt

Pas barazimit në javën e kaluar në derbin ndaj Ballkanit, skuadra e Prishtinës i është kthyer fitoreve në Superligën e Kosovës.

Kryeqytetasit kanë shënuar fitore ndaj Ferizajt në ndeshjen e vlefshme për javën e 21’të, duke barazuar pikët me Gjilanin e pozitës së dytë.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ përfundoi me rezultatin 3-2. Ahmed Januzi shkëlqeu në këtë ndeshje me dy gola, teksa fitoren e vulosi Otto John.

Pas ndeshjes, Ahmed Januzi tha se shënimi i çdo golit e ka kënaqësinë e vet, por edhe rrit vetëbesimin.

“Pas shënimit të golit të parë ndryshoi situata duke marrë më shumë vetëbesim në pjesën e dytë duke e hapur edhe më mirë rezultatin për ne e që besoj me meritë morëm tre pikë. Çdo shënim goli e ka kënaqësinë e vet, por është edhe çlirim, sepse rritet vetëbesimi, mirëpo nuk kanë aq shumë rëndësi golat sa ka rëndësi loja e mirë si grup dhe rezultati që të na jep vetëbesim si ekip komplet. Por, normalisht çdo shërbim ka shumë rëndësi si individ dhe për mua personalisht. Tani kemi përballjen me Dritën dhe ne e respektojmë çdo kundërshtar, por ne kemi qëllimin tonë i cili dihet dhe pavarësisht se kemi kundërshtar të fortë ne do të shkojmë të luftojmë të bëjmë lojën tonë për tre pikët e që shpresoj se do të na ecën mirë ashtu siç dëshirojmë”, ka thënë Januzi pas ndeshjes me Ferizajn.

Ndryshe, Prishtina tani ka 41 pikë dhe renditet në pozitën e tretë, me tre pikë më pak se skuadra lidere, Ballkani.