Fjalë Kyçe

Sulmuesi i rrezikshëm danez flet para sfidës ndaj Kosovës

Sulmuesi i rrezikshëm danez flet para sfidës ndaj Kosovës

Futbollisti danez flet para përballjes së sontme ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”

Përballja me Përfaqësuesen e Kosovës do të jetë ideale për Danimarkën.

Kështu të paktën e vlerësojnë futbollistët danezë, të cilët e shohin këtë si një mundësi të mirë për t’u përgatitur për ndeshjen kualifikuese për Evropianin 2020, të cilën do ta zhvillojnë me Zvicrën më 26 mars.

Ndeshja e sontme me “Dardanët” shihet si një mundësi perfekte për danezët që ta rikthejnë stilin e lojës dhe në të njëjtën kohë të mendojnë më pas me optimizëm për ndeshjen e së martës ndaj Helvetikëve.

“Ka kaluar shumë kohë që nuk jemi bashkë. Natyrisht, janë disa mekanizma taktikë që duhet t’i rregullojmë para ndeshjes më të vështirë që na pret të martën e ardhshme”, ka thënë futbollisti Yusuff Poulsen për mediat daneze.

“Mendoj se është një mundësi e shkëlqyeshme për të luajtur kundër Kosovës, sepse mund të provojmë shumë gjëra për të martën. Kundër një kundërshtari më të lehtë, është më e lehtë t’i provosh disa gjëra që dëshiron”, vazhdoi ai.

“Dalëngadalë do të vijmë tek ndeshjet e mëdha. Në Ligën e Kombeve ishim mirë, por mendojmë se mund të bëjmë rrugëtim pozitiv edhe në kualifikimet e Evropianit 2020, ku na presin ekipe të mira. Kështu që, lojërat e mëdha do të vijnë”, nënvizoi Poulsen.

Sonte, Danimarka do të ketë punë me ekipin që në renditjen botërore e zë vendin e 130-të.

“Mendoj se ne nuk duhet t’i ndajmë ekipet. Ndaj të gjithëve duhet të luajmë njëjtë dhe të luftojmë deri në fund. Nuk ka rëndësi nëse do të takohemi me Kosovën apo me Gjermaninë”, përfundoi Poulsen.

Ai ishte lojtari më i rrezikshëm i klubit të tij, Leipzig këtë sezon me 15 gola në të gjitha kompeticionet.

Golin e fundit, Poulsen me Kombëtaren e ka shënuar në fitoren 1:0 ndaj Perusë në Botërorin e vitit të kaluar.