Shtetasi tunizian, që vrau tre persona në një kishë në Francë, ka arritur në Evropë muajin e kaluar, thanë zyrtarët.
I dyshuari, 21 vjeç, posedon dokumente të Kryqit të Kuq të Italisë, që i janë lëshuar pas arritjes me një anije migrantësh në ishullin italian të Lampedusës, muajin e kaluar.
Ai u qëllua nga policia dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sulmi ndodhi të enjten në bazilikën Notre-Dame në qytetin e Nicës. Njërës prej viktimave i është prerë koka.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi incidentin si “sulm terrorist islamist”.
Macron tha se numri i ushtarëve që do të mbrojnë vendet publike, si kishat dhe shkollat, do të rritet nga 3,000 në 7,000.
Prokurorët kanë nisur tashmë hetimet, ndërsa alarmi i sigurisë kombëtare është rritur në nivelin më të lartë.
Më 16 tetor, një tjetër sulm i cilësuar terrorist ka ndodhur në një qytet pranë Parisit. Një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili në një orë mësimi për lirinë e shprehjes, ka treguar karikatura të Profetit Muhamed.
Kjo vrasje i ka rritur tensionet në Francë. Mbrojtja e së drejtës për publikimin e karikaturave nga ana e Macronit dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar Islamin radikal kanë zemëruar Turqinë dhe vendet e tjera me shumicë myslimane.
Francezët nderojnë mësuesin e vrarë
I dyshuari në sulmin e Nicës u dëgjua duke bërtitur “Allahu Akbar”, apo Zoti është më i madhi, përpara se të qëllohej nga policia.
Një Kuran, dy telefona dhe një thikë 30 cm e gjatë janë gjetur te sulmuesi, tha kryeprokurori anti-terrorist i Francës, Jean-François Ricard.
Disa burime në polici e identifikuan sulmuesin si Brahim Aouissaoui.
“E përsëris me qartësi të madhe: Nuk do të dorëzohemi para asgjëje”, tha Macron, pasi vizitoi Nicën.
Të enjten ndodhën edhe dy sulme të tjera kundër Francës.
Një person u qëllua për vdekje pranë qytetit jugor Avignon, pasi kërcënoi policinë me pistoletë.
Jashtë konsullatës franceze në Xhedah të Arabisë Saudite, ndërkaq, u sulmua një roje. Roja u dërgua në spital, i dyshuari u arrestua.
Kush ishin viktimat e sulmit në Nicë?
Tri viktimat në Nicë u sulmuan brenda bazilikës të enjten në mëngjes, para meshës së parë të ditës.
Dy vdiqën brenda kishës: një grua 60-vjeçare, që iu “pre krejtësisht” koka, dhe një 55-vjeçar, që iu pre fyti.
Një grua tjetër, 44 vjeçe, arriti të ikë në një kafene pranë, pasi u godit disa herë me thikë, por vdiq më vonë.
Ministria e Jashtme e Brazilit njoftoi se 44-vjeçarja ishte braziliane, nënë e tre fëmijëve, që jetonte në Francë. Ministria nuk konfirmoi nëse ajo kishte edhe shtetësi franceze.
“Presidenti Jair Bolsonaro, në emër të të gjithë kombit brazilian, i shpreh ngushëllimet e tij më të thella familjes dhe miqve të qytetares së vrarë në Nicë, si dhe të viktimave të tjera, ndërsa shpreh solidaritetin e tij me popullin dhe Qeverinë e Francës”, thuhet në deklaratë.
“Tregojuni fëmijëve të mi se i dua”, arriti të thoshte gruaja 44 vjeçe para vdekjes së saj, raportoi kanali kabllor francez BFM TV.
Katër vjet më parë, Nica ka qenë skenë e një prej sulmeve më të këqija xhihadiste në Francë. Një tunizian ka përplasur kamionin për turma njerëzish që festonin Ditën e Bastiljes, më 14 korrik, 2016, duke vrarë 86 vetë.
Qeveritë në të gjithë botën e dënuan sulmin e së enjtes, përfshirë fqinjët evropianë të Francës, SHBA-në, Turqinë, Egjiptin, Katarin dhe Libanin.