Sulmuesi shqiptar, Fiorin Durmishaj, që po shkëlqen këtë sezon në Superligën greke me ekipin e Panioniost, nuk e ka zgjedhur ende Kombëtaren për të cilën do të luajë.
Mediat në vendin helen, një javë më parë deklaruan se ai e ka bërë zgjedhjen e tij, për të përfaqësuar Shqipërinë, shkruan Panorama.
Por, ndërkohë është trajneri i Kombëtares greke, Angelos Anastiadis, i cili ka folur rreth çështjes Durmishaj, dhe është shprehur:
“Asgjë nuk bëhet pa dëshirën e lojtarit. I kam parë shumicat e ndeshjeve të Panioniosit. Fola me të pak ditë më parë. I thashë se jemi të interesuar të vinte në kombëtare. Ka pasur shpresa për tek Shqipëria, por më tha se dëshiron të luftojë për vendin helen.
Procedurat për pasaportën e tij kanë nisur, dhe besoj se do kemi një fund të lumtur.”
Në të njëjtën linjë, është edhe drejtori teknik i ekipeve kombëtare greke, i cili deklaron: “Kemi folur me lojtarin dhe menaxherin e tij. Jemi në rrugën e duhur, dhe shpresoj se brenda javës, mund ta mbyllim këtë çështje”.