Kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka komentuar aksionin e Krimeve të Rënda që u zhvillua sot në Brezovicë. Ai ka thënë se nuk ka pasë cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara, por krimin dhe shkelësit e ligjit.
“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës”, ka thënë Sveçla.
“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.
Sveçla është zotuar se si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës do të mbesin të përkushtuar për ofrim të sigurisë, rendit dhe ligjit për qytetarë e Kosovës, ndërsa shkelësit e ligjit “do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”.